Conte qartëson gjendjen e McTominay: Një problem që e shoqëron prej fillimit të vitit
Napoli arriti një fitore dramatike ndaj Genoas, por pas ndeshjes vëmendja u përqendrua edhe te gjendja fizike e Scott McTominay. Mesfushori skocez u detyrua të largohej nga fusha në pushimin e pjesës së parë, duke ia lënë vendin Giovane-s, pasi kishte kërkuar zëvendësim që gjatë 45 minutave të para.
Pas takimit, trajneri i Napolit, Antonio Conte, foli për mikrofonat e DAZN-it dhe dha sqarime të detajuara mbi situatën e lojtarit, duke qetësuar tifozët për seriozitetin e dëmtimit. Sipas teknikut italian, bëhet fjalë për një problem të hershëm, që McTominay e ka që nga fillimi i vitit.
“McTominay ka një shqetësim që e bart prej fillimit të vitit. Është një zonë te tendina që i inflamohet herë pas here, i shkakton dhimbje, por nuk e pengon të luajë. Thjesht, në disa momente duhet të menaxhohet dhe të luajë me ritëm më të ulët”, u shpreh Conte.
Trajneri zbuloi gjithashtu se skocezi kishte dëshirë të vazhdonte ndeshjen, por vendimi për ta zëvendësuar erdhi për arsye sigurie. “Ai do të kishte dashur të qëndronte në fushë, por nuk doja të rrezikoja pa nevojë. McTominay është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe duhet ta ruajmë”, theksoi Conte.
Napoli shpreson që menaxhimi i kujdesshëm i minutave të McTominay t’i lejojë mesfushorit të jetë në dispozicion edhe në ndeshjet e ardhshme vendimtare të sezonit, teksa skuadra vazhdon ndjekjen e objektivave të saj në Serie A.