Leao dhe Pulisic, 'yjet’ e ndarë të Milanit, si del në pah madhështia e Allegri-t
Milan po shkëlqen këtë sezon në Serie A, duke lënë të kuptohet se nuk është thjesht një ‘outsider’ në garën për titull. Me 50 pikë pas 23 javëve, skuadra e Massimiliano Allegri-t ka arritur të ruajë një formë të jashtëzakonshme, mbetet e papërmbajtshme dhe e pandikueshme nga mungesat. Një nga faktet më mbresëlënëse është se Rafa Leao dhe Christian Pulisic kanë luajtur bashkë nga minuta e parë vetëm në tri ndeshje këtë sezon, por edhe pse të ndarë, ata mbeten golashënuesit kryesorë të ekipit me 7 gola për Leao dhe 8 për Pulisic në Serie A.
Pavarësisht mungesave të ‘yjeve’ të sulmit, Milan ka treguar karakter dhe mentalitet, duke arritur rezultate të jashtëzakonshme. Allegri ka adaptuar sistemin e tij 3-5-2 për të përballuar situata emergjente, dhe lojtarë si Nkunku dhe Loftus-Cheek janë shndërruar në zgjidhje të vlefshme, duke dhënë kontribut në momente vendimtare. Rabiot ka luajtur gjithashtu një rol vendimtar, duke ofruar performanca thuajse “botërore” në mesfushë.
Ky sezon është një dëshmi e përkushtimit të Allegri-t dhe aftësisë së tij për të nxjerrë maksimumin nga skuadra, pavarësisht nga inkuadrimi i lojtarëve të ndryshëm. Milan nuk varet vetëm nga ‘yjet’ e sulmit; mentaliteti, organizimi dhe përgatitja taktike e Allegri-t e bëjnë skuadrën konkurruese edhe në mungesë të lojtarëve kryesorë.
Rezultatet flasin qartë: një Milan fleksibël, i aftë për të reaguar ndaj sfidave dhe me një perspektivë që shkon përtej vendit të katërt. Skuadra ëndërron për titull dhe mënyra se si ka arritur këto rezultate edhe pa Leao-n e Pulisic-in është një dëshmi e madhështisë së këtij Milani.