Policia bastis Universitetin Aristoteli të Selanikut, mbi 300 të arrestuar! Gjenden molotov, shkopinj dhe drogë

Mbi 300 persona u arrestuan pas incidenteve jashtë Shkollës Politeknike të Universitetit Aristoteli në Selanik në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Kampusi universitar i qytetit të dytë më të madh të vendit, Selanikut u bastis pasi policia u sulmua nga turma njerëzish që hodhën më shumë se 100 koktejë molotovë.

Policia greke tha se grupe personash të veshur me kapuçë dolën sot nga kampusi i “Universitetit Aristoteli” të Selanikut në orët para të mëngjesit për të sulmuar një skuadër policie.

Një oficer policie u plagos në fytyrë dhe qafë gjatë sulmeve me koktej molotovi. Njësia e policisë zakonisht vendoset në një distancë të caktuar nga kampusi për të garantuar sigurinë – pas festave gjatë natës që zhvillohen në ambientet e universitetit.

Sulme të tilla kundër Policisë pranë kampusit universitar nuk janë të rralla, por kjo është hera e parë që kaq shumë njerëz arrestohen pas një përplasjeje të tillë.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese për të zmbrapsur sulmuesit.

Gjatë bastisjes policia gjeti dhe konfiskoi 25 shkopinj, 7 kokteje Molotov, 10 maska ​​anti-mbytje dhe një sasi e vogël kanabisi.

Universiteti tha në një deklaratë se sulmet ishin kryer nga “ekstremistë” jashtë kampusit, në bashkëpunim me disa individë brenda territorit të universitetit.

Ata thanë se një hetim ishte duke u zhvilluar – për të përcaktuar nëse ndonjë student ka marrë pjesë.

Gjithashtu, sipas deklaratës nuk ishte dhënë leje për të organizuar ndonjë festë në territorin e universitetit, shkruan gazeta greke Prothotema.