Hekurudhat italiane në shënjestër gjatë Lojërave Olimpike, ministri Salvini: Akte sabotimi shqetësuese
Nga Alba Kepi
Sulme të dyshuara ndaj rrjetit hekurudhor në veri të Italisë kanë shkaktuar ndërprerje të rënda të udhëtimeve, pikërisht në momentin kur mijëra persona ishin mbledhur për hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore.
Policia italiane raportoi tre incidente të ndryshme që përfshijnë dëmtime të linjave hekurudhore, e besohet se lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e Lojërave.
Flakët dogjën infrastrukturën hekurudhore mes Bolonjës dhe Venecias, duke shkaktuar vonesa deri në dy orë e gjysmë. Më pas, policia gjeti kabllo të prera dhe një pajisje shpërthyese në zona pranë vendngjarjeve.
Ministria italiane e Infrastrukturës dhe Transportit tha se episodet e rënda të ndodhura këtë shtunë në rrjetin hekurudhor kombêtar, janë 'akte sabotimi shqetësuese që rikujtojnë ngjarje terroriste të verifikuara së fundmi në Francë."
Ministri Matteo Salvini, sipas një njoftimi zyrtar, po ndjek me vëmendje zhvillimin e situatës, ndërsa Forcat e Rendit janë angazhuar për të sqaruar rrethanat.
Ngjarjet kanë shkaktuar pasoja të mëdha për qarkullimin hekurudhor.
Çfarë ndodhi?
Të shtunën, shumë trena pësuan vonesa të gjata për shkak të pezullimit të trafikut në një pjesë të stacionit Bologna Centrale. Sipas grupit Ferrovie dello Stato, defekti dyshohet të ketë qenë i qëllimshëm: disa kabllo elektrike të përdorura për matjen e shpejtësisë së trenave u dëmtuan nga një zjarr në linjën që lidh Bolonjën me Venecian, pranë Castel Maggiore. Si pasojë, trenat u devijuan në linjën sipërfaqësore, duke shkaktuar ngadalësime të konsiderueshme.
Po sot, një zjarr i vogël u regjistrua edhe në një kabinë elektrike pranë stacionit të Pesaros, ndërsa një mjet shpërthyes artizanal u gjet në një shkëmbim binarësh në linjën mes Bolonjës dhe Padovës. Për të tre rastet po heton njësia antiterrorizëm e Policisë.