Prej 29 ditësh i zhdukur, momenti kur trupi i pajetë i Jurgen Karajt nxirret nga liqeni i Urakës

Pas 29 ditësh i zhdukur u gjet sot falë Forcave të Sigurisë së Kosovës, trupi i pa jetë i 30-vjeçarit Jurgen Karaji.

Trupi u gjet në liqenin e Urakës, rreth 2 milje larg urës së Rrethabazit.

FSK ka publikuar foto nga momenti i operacionit. 

Trupi i 30-vjeçarit u gjet në afërsi të fshatit Urakë, gjatë patrullimit me gomone të forcave të ushtrisë dhe FSK. Më pas familjarët konfirmuan se trupi i përkiste Jurgen Karajt.

Ngjarja ka ndodhur më 10 janar rreth orës 01:30, ku automjeti që drejtonte 24-vjeçari, Andi Losha dhe ku ishte pasagjer Jurgen Karaj, 30 vjeç ra në përrua.

Sipas policisë Losha u largua nga vendngjarja pa lajmëruar policinë dhe pa i dhënë ndihmë shokut të tij. Losha u arrestua nga policia dhe pas testit të alkoolit u konstatua se 24-vjeçari e kishte drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Postimi i FSK-se
FSK dhe FARSH, gjejnë trupin e pajetë të të riut të zhdukur në lumin Mat, Shqipëri, pas një operacioni dhjetëditor kërkim-shpëtimi
Me kërkesë të autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka angazhuar një kontingjent të specializuar të Kërkim-Shpëtimit nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare, i cili iu bashkua operacionit në zonën e Klosit për kërkimin e një personi të zhdukur në rrjedhën e lumit Mat.

Pas angazhimit intensiv dhe bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet shqiptare, ekipet e kërkim-shpëtimit të FSK-së dhe FARSH-së, arritën të lokalizojnë dhe të gjejnë trupin e pajetë të personit të humbur.

Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në emrin e tij personal dhe në emër të gjithë personelit të FSK-së, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës. Gjithashtu, Komandanti i FSK-së falënderon personelin e angazhuar për përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën e treguar gjatë përmbushjes së këtij misioni.

Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në misionin e saj humanitar dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, gjithmonë në shërbim të jetës, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.