Fituesi i ‘Topit të Artë flet pa dorashka: Situata e Ter Stegen është një dramë personale
Lëndimi i rëndë i Marc-André Ter Stegen ka hapur një kapitull shqetësues jo vetëm për klubin e tij aktual Girona, por edhe për të ardhmen e Barcelonës dhe për Kombëtaren e Gjermanisë, që e kishte projektuar portierin si titullar për Botërorin 2026. Në Gjermani alarmi është i madh, ndërsa zërat autoritarë të futbollit nuk i kanë kursyer analizat e forta.
Një prej tyre është Lothar Matthäus, fitues i “Topit të Artë”, i cili e cilësoi situatën si jashtëzakonisht të rëndë për portierin. “Me dëmtimin e konfirmuar, Ter Stegen nuk do të mund të luajë të paktën deri në fund të marsit. Në këto kushte, pjesëmarrja në Botëror vihet seriozisht në dyshim”, u shpreh ish-legjenda gjermane, duke shtuar se kjo mund të ndikojë thellësisht në vazhdimësinë e karrierës së tij. “Për Marc-un, kjo është një tragjedi personale. Kishte një shans real për të rilindur dhe për të qenë protagonist në një Botëror”, theksoi Matthäus.
Edhe trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, pranoi se planet e tij janë tronditur nga ky dëmtim. “Ter Stegen sapo ishte rikthyer në formë të mirë dhe prisnim shumë prej tij. Tani duhet të vazhdojmë pa të, edhe pse për të personalisht kjo është një goditje shumë e rëndë”, deklaroi tekniku, duke lënë gjithsesi një derë hapur për një rikuperim të mundshëm në kohë.
Nga ana tjetër, te Barcelona situata shihet si një pengesë në strategjinë e së ardhmes nën drejtimin e Hansi Flick, i cili duhet të rishikojë planet për repartin e portës. Ndërkohë, për Gjermaninë, Oliver Baumann pritet të marrë rolin e titullarit, pasi rikthimi i Manuel Neuer nuk shihet si opsion prioritar. Dëmtimi i Ter Stegen ka tronditur klubet dhe kombëtaren, duke e kthyer ëndrrën e Botërorit 2026 në një pikëpyetje të madhe.