Ilir Daja: Me 10 lojtarë treguam shpirt gare, për agresivitetin unë shoh një futboll tjetër
Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, vlerësoi maksimalisht reagimin e skuadrës së tij pas barazimit 1-1 ndaj Tiranës, një ndeshje ku dinamovitët luajtën për më shumë se një orë me një lojtar më pak. Në prononcimin e dhënë për emisionin “Super Gol”, tekniku theksoi karakterin dhe sakrificën e grupit, duke lënë të kuptohet se rezultati është shpërblim i drejtë për atë që u pa në fushë.
“Sipas meje, djemtë e kanë bërë detyrën. Pësuam gol herët, por kishim menjëherë një rast shumë të pastër me Mustafën dhe më pas edhe penalltinë. Nëse ajo do të ishte shënuar, ndoshta ndeshja do të kishte marrë një tjetër drejtim edhe nga ana psikologjike”, u shpreh Daja. Ai shtoi se kartoni i kuq e komplikoi shumë situatën, por pavarësisht kësaj Dinamo arriti të qëndronte në lojë dhe të reagonte.
Trajneri dinamovit theksoi se me 10 lojtarë ekipi luajti futboll cilësor dhe e detyroi Tiranën të tërhiqej. “Edhe pse në inferioritet numerik, e kompensuam mungesën e një lojtari me shpirt gare dhe sakrificë. Nuk ka shumë taktika në këto raste, është më tepër dëshirë dhe përkushtim. Kjo na mbajti gjallë deri në fund dhe u shpërblyem me barazimin”, deklaroi ai.
Daja foli edhe për zgjedhjet taktike dhe përbërjen e repartit ofensiv, duke theksuar rëndësinë e rikthimeve në skuadër që i japin më shumë balancë dhe siguri ekipit. Ai nënvizoi se Dinamo po rikthen gradualisht fizionominë e saj, teksa disa lojtarë kanë ende nevojë për kohë për t’u integruar plotësisht.
Në fund, tekniku nuk i kurseu ironitë për etiketimin e Dinamos si ekipi më agresiv i kampionatit. “Nëse jemi skuadra me 6 kartonë të kuq dhe quhemi më agresivët, atëherë unë shoh një futboll tjetër, qoftë nga fusha, nga VAR-i apo nga diku tjetër”, përfundoi Daja.