Nuhiu pas derbit: Dinamo është projektuar për titull, kjo pikë mund të peshojë shumë

Trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës pas barazimit 1-1 ndaj Dinamos në derbin e kryeqytetit, edhe pse nuk e fshehu keqardhjen për rastet e humbura. Në analizën e tij për emisionin “Super Gol”, tekniku bardheblu vlerësoi karakterin e grupit dhe theksoi diferencën mes dy projekteve.

“Personalisht më pëlqeu shumë skuadra dhe mënyra si reagoi në fushë. Duhet të kemi parasysh se përballë kishim një ekip të ndërtuar për titull, ndërsa ne jemi mbledhur në janar. Nëse para ndeshjes do të na thoshin se do të merrnim një barazim kundër një kundërshtari të tillë, ndoshta do ta pranonim”, u shpreh Nuhiu.

Trajneri i Tiranës theksoi se ndeshja duhej mbyllur më herët, sidomos pas avantazhit të shpejtë dhe kartonit të kuq për Dinamon. “E gjetëm shpejt golin dhe kartoni i kuq na favorizoi. Dinamo rrezikoi gjithçka, sepse nuk kishte çfarë të humbte. Ne krijuam rastet tona dhe duhej ta mbyllnim ndeshjen. Nuk kam asnjë vërejtje për çunat”, shtoi ai.

Nuhiju zbuloi edhe detaje taktike, duke nënvizuar se në pushim u kishte kërkuar lojtarëve të mbanin topin si mënyrën më të mirë për të administruar rezultatin. “E menaxhuam mirë lojën deri te goditja e këndit. Na mungoi pasimi i fundit për të shënuar golin e dytë, sidomos nga krahu i djathtë ku kërkonim të shfrytëzonim shpejtësinë”, tha trajneri.

Në fund, ai e cilësoi barazimin si shumë të vlefshëm: “Kjo pikë sot mund të duket e vogël, por në fund të kampionatit mund të rezultojë shumë e madhe. Përballë kishim një Dinamo me cilësi dhe eksperiencë, edhe në Europë. Karakteri i skuadrës më pëlqeu shumë”. Nuhiu mbetet i bindur se barazimi me Dinamon mund të ketë peshë vendimtare në vazhdim të sezonit.