Vazhdon magjia ‘Carrick’, Man. United fundos Tottenhamin
Manchester United vijon serinë pozitive nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Michael Carrick, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi falë suksesit 2-0 ndaj Tottenhamit në “Old Trafford”. Një ndeshje ku “Djajtë e Kuq” dominuan në lojë dhe raste, ndërsa Spurs zhgënjyen sërish, duke thelluar krizën e rezultateve.
Tottenhami ishte i pari që rrezikoi, kur Conor Gallagher u shfaq përballë portës pas një pasimi të zgjuar të Xavi Simons, por goditja e tij nuk gjeti objektivin. Ishte një sinjal i shkurtër, sepse më pas kontrolli kaloi qartë në anën e United. Matheus Cunha provoi me një goditje të fortë nga jashtë zone që kaloi ngjitur me shtyllën, ndërsa pak minuta më vonë Bruno Fernandes shpërdoroi një tjetër rast të mirë pas asistit të Amad Diallo.
Ndeshja mori kthesë vendimtare në minutën e 28-të, kur kapiteni i Tottenhamit, Cristian Romero, u ndëshkua me karton të kuq direkt pas një ndërhyrjeje të rrezikshme ndaj Casemiro-s. Me një lojtar më shumë, United shtoi presionin dhe në minutën e 35-të gjeti golin e avantazhit: pas një goditjeje këndi, topi shkoi te Bryan Mbeumo, i cili realizoi saktë për 1-0, duke shënuar golin e tij të 10-të sezonal. Para pushimit, Vicario shpëtoi Tottenhamin nga gola të tjerë, duke ndalur Casemiro-n dhe Amad-in.
Në pjesën e dytë, United shënoi edhe një herë, por goli i Amad u anulua për pozicion jashtë loje. Spurs u përpoqën të reagonin, por pa rrezik real. Në minutën e 80-të, Bruno Fernandes vulosi fitoren pas një asistimi perfekt të Diogo Dalot, duke shënuar golin e dytë. United konsolidoi pozitat në katërshen e parë, ndërsa Tottenhami zgjati serinë pa fitore në tetë ndeshje kampionati, duke u zhytur gjithnjë e më shumë në krizë.