Berisha: 10 shkurti është dita e guximit e besimit tuaj tek e ardhmja dhe rrëzimi i kësaj organizate kriminale

Një ditë guximi dhe besimi tek e ardhmja, e konsideron lideri demokrat, Sali Berisha protestën e 10 shkurtit, teksa fton qytetarët që t’i bashkohen asaj.

Në përmbyllje të bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se zemërimi dhe përgjegjësia e shqiptarëve po bëhet gjithnjë e më e madhe dhe më e vendosur për t’i dalë zot vendit, në përmbushjen e misionit të shpëtimit të kombit shqiptar nga  organizatë kriminale, Rama.

‘Është dita e dinjitetit tuaj. Dita e shpresës dhe besimit tuaj tek vetja, familja dhe e ardhmja. Të gjithë bashkohemi, të betuar me 10 shkurt se do të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore deri në rrëzimin e kësaj organizate kriminale’, ishte ftesa e kryedemokratit për çdo shqiptar për pjesëmarrje në protestën e 10 shkurtit.

Unë ju falënderoj shumë për pyetjet.

Shpreh mirënjohje të pakufishme ndaj jush, ndaj të gjithë shqiptarëve sepse konstatoj se në këtë situatë kritike që po kalon vendi, ndjeshmëria, zemërimi dhe përgjegjësia juaj po bëhen gjithnjë e më e madhe, gjithnjë e më të vendosur për ti dalë zot këtij vendi, për të përmbushur këtë mision, mision që do të shpëtojë kombin shqiptar nga kjo organizatë kriminale.

Historia është e pamëshirë. Edi Rama largoi nga Shqipëria nga viti 2014-2023, 1 milionë e 99 mijë qytetarë vetëm në hapësirën e Shengenit. Po të llogarisësh dhe të tjerë, shkon në 45% të popullatës.

Vitin e kaluar nga Shqipëria u larguan 420% më shumë të rinj se nga Serbia dhe vende të tjera.

Ndaj dhe 10 shkurti është dita e guximit tuaj. Është dita e dinjitetit tuaj. Dita e shpresës dhe besimit tuaj tek vetja, familja dhe e ardhmja.

Të gjithë bashkohemi, të betuar me 10 shkurt se do të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore deri në rrëzimin e kësaj organizate kriminale.