Berisha: Arsimi ishte në rritje vertikale gjatë qeverisjes tonë, tani ka pësuar rënie vertikale
Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar në bashkëbisedimin me qytetarët në rrjetet sociale se arsimi në Shqipëri ka pësuar një rënie të fortë gjatë viteve të fundit, në kontrast me atë që ai e cilësoi si një “rritje vertikale” gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi politizimin e arsimit dhe formimin e kapitalit njerëzor konkurrues, Berisha renditi reformat dhe investimet e bëra gjatë mandatit të tij, ndërsa kritikoi qeverinë aktuale për degradimin e sistemit arsimor, duke iu referuar edhe rezultateve të Shqipërisë në testimet ndërkombëtare PISA.
Pjesë nga bashkëbisedimi:
Pyetje: Zoti Berisha, në një kontekst ku arsimi perceptohet si i politizuar, si mund të ndërtohet një sistem arsimor i pavarur që formon kapital njerëzor konkurrues dhe u jep të rinjve besim për ta ndërtuar të ardhmen në këtë vend?
Sali Berisha: Pyetje themelore, për aq sa arsimi është njëri nga dy-tre misionet më themelore të një kombi.
Zhan Zhak Ruso shkruante se arsimi, edukimi duhet të jetë çështja më kryesore e një kombi.
Çështje e vështirë, të jemi realistë, nuk është çështje e lehtë, por është absolutisht i reformueshëm dhe i arritshëm.
Me këtë bindje, çfarë bëmë?
Kur ne i referohemi historikut tonë, ne nuk e bëjmë këtë për të rrahur gjoksin, por ne e bëjmë këtë si dëshmi e asaj se çfarë do bëjmë ne në të ardhmen.
E gjetëm arsimin të shkatërruar në vitin 2005.
I gjetëm mësuesit të larguar masivisht nga arsimi sepse rrogat e tyre mizerabël nuk u mundësonin të jetonin dhe vraponin të gjenin çdo profesion tjetër.
Çfarë bëmë?
Shpallëm dhe e mbajtëm. Rritëm rrogat e arsimtarëve 120 përqind. E filluam nga arsimtari dhe dolëm me moton arsimtari një piedestal.
Ndërpremë hemorragjinë e mësuesve nga arsimi. Nuk na iknin më, madje kërkonin të ktheheshin.
Së dyti, a e keni dëgjuar që janë mbyllur fakultetet e mësuesisë, nuk shkon kush më? Tmerr kjo. Gjashtë studentë janë.
Në atë kohë jo që nuk u mbyllën, por përkundrazi funksionuan fuqishëm plot me kërkesa sepse profesioni i arsimtarit nuk ishte profesion që përçmohej.
Ishte një profesion që paguhej. Rrogat e arsimtarëve renditeshin në një të tretën e sipërme të rrogave të piramidës shtetërore.
Dhe ne u bëmë një nga vendet me një pozicion shumë të mirë për rrogat e arsimtarëve.
Dhe çfarë sillte kjo? Çdo rritje rrogash që bëhej, mësuesit shkonin lart e më lart.
Çfarë bëmë tjetër?
Interneti në Shqipëri ishte 4.8 përqind. I turpshëm. Ne e kapëm së pari shkollën. Ne e nisëm nga shkolla.
Në 2200 krijuam laboratorët e informatikës dhe i pajisëm ato me 26 mijë kompjutera. 800 kishte gjithsej kur erdhëm ne.
Me satelit blinim internetin për shkolla, që kushtonte mjaft.
Vendosëm maturën shtetërore dixhitale.
Hoqëm mesataren si kriter për hyrjen në universitete.
Rritëm numrin e studentëve nga 12 për 1 mijë që ishte më i ulëti që mund të bëhej, e rritëm në 52 për 1 mijë deri në vitin 2013.
Cili qe rezultati?
Ishim shumë poshtë, por prapë në PISA-n e vitit 2012, që përfshinte 8 vitet tona dhe një vit të qeverisjes së mëparshme, ne patëm ngjitje vertikale. Nga ngjitjet më vertikale në botë.
Po t’i jap këto argumente për të dhënë se në qoftë se e përparëson arsimin me seriozitetin më të madh, arsimi është një nga sektorët që ndryshon në mënyrë të padiskutueshme.
Çfarë ndodhi me këta?
Ajo rritje vertikale, që ishte një gjë e jashtëzakonshme, ajo u kthye në rënien më vertikale në të gjithë historinë e OECD.
Në matematikë Shqipëria zbriti 69 pikë në vitin 2022.
Ne ramë në pikiatë.
Ky është arsimi.
Ndaj dhe ne i rikthehemi, ne nuk heqim dorë.
Besoj plotësisht në atë që Ruso ka thënë, është procesi më serioz i një kombi.