Iluzioni i përjetësisë së pushtetit

Konfliktet mes pushteteve, sidomos në Shqipëri ku ka rënë me kohë mekanizmi i kontrollit dhe balancës janë çështje sistemike dhe pasoja më e dukshme është asgjësimi prej vitesh i llogaridhënies nga pushteti. Nuk ekziston më në praktikë koncepti i shërbëtorit publik. Korrupsioni pas reformës në drejtësi është shtuar, kryeministri ka mbledhur aq shumë pushtet, sa legjislativi dhe ai vendor mund edhe mos të ekzistonin fizikisht e nuk do të përbënte asnjë ndryshim.

Në këtë autoritarizëm të shprehur, institucionet e drejtësisë mbijetojnë me shumë vështirësi, herë nga vullnete individuale të paepura e herë nga nënshtrimi pa kushte ndaj presionit e shantazhit. Këtë pasoje e prodhoi një proces vetting-u plot të meta, që i shërbeu kryesisht qëllimeve politike të atyre që rrahin gjoksin se e krijuan e shestuan për zbatim këtë reformë.

Strasburgu ka krijuar precedentë të mjaftueshëm për të kuptuar edhe më të pabindurit se ç’dëme prodhoi mënyra si u krye ai proces.

Në kaosin shpesh të pilotuar të raporteve institucionale, rolin me të rëndësishëm e ka Gjykata Kushtetuese, si garant i rendit kushtetues. Historiku i pas reformës dëshmon se vendimet në shumice të saj janë pro qeverisë. Siç ka ndodhur edhe e kundërta, ku parlamenti nën hyqmin e ekzekutivit, nuk ia ka respektuar vendimet. Në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Vetë anëtarët e GJK, në një akt thuajse mazokist kanë reduktuar mandatet e tyre me vendime absurde, duke shprehur me e pa dashje devotshmëri ndaj vullnetit autoritar. Dhe për t’i hedhur kripë plagës së një dobësie kaq të shprehur institucionale, kjo gjykatë, që vendim-marrjen e ka kusht të domosdoshëm për vendosje standardesh dhe siguri juridike, ka kohë që vepron me numër çift anëtarësh. Që më shumë se risku i probabilitetit që votimi të bjerë rastësisht në ndarje të barabartë 4:4, e bën të parashikueshëm e shumë vulnerabël rezultatin ndaj të njëjtit vullnet autoritar të pushtetit.

Vendoset qysh ne krye barazia si shpëtim nga presionet e shantazhet, ose si nënshtrim ndaj pushtetit, një normë në vendimet e kësaj gjykate.

Por tashmë që mos marrja e vendimit është fakt dhe pezullimi prej GjKK-ose i Ballukut mbetet në fuqi, shqetësimi i një pjese juristësh e analistësh është se SPAK-u ka marrë super pushtet për të pezulluar gjithë qeverinë nëse i teket për shumë arsye.

Vullnetet mund të jenë të brishta, mungesa e vendimit të GJKK-së i ka bërë kufijtë e raporteve mes institucioneve të interpretueshme, por Kodet dhe ligjet janë aty, të shkruara dhe rrekemi t’i lexojmë.

Pezullimi i qeverisë nuk është akt i “SPAK-ut”. Prokuroria kërkon, gjykata vendos. Edhe afërmendsh po deshe. Por edhe për ne që nuk jemi juristë, leximi i ligjeve është i thjeshtë. Masa e sigurimit është instrument procedural i parashikuar nga ligji penal për të mbrojtur procesin hetimor, jo mekanizëm për të riformatuar qeverinë.

Pretendohet se pa vendim nga GJK nëse i lejohet a jo GJKK-osë të pezullojë një anëtar të kabinetit qeveritar, krijohet situatë kaotike ku strukturat e posaçme zgjedhin rol politik, duke ndikuar drejtpërdrejt ekzekutivin.

Është e vërtetë se një masë sigurimi ndaj një ministri mund të ketë pasoja politike, sepse çdo akt juridik mbi një figurë publike ka efekt publik, por mandati politik nuk buron nga procesi penal. As struktura e qeverisë nuk formohet nga gjykatat, sepse ato operojnë në një plan tjetër, atë të përgjegjësisë ligjore individuale. Dhe Balluku vijon të ketë të drejtën ta godasë personalisht në gjykatë këtë vendim.

A ekziston juridikisht një “pushtet i lirë” i gjyqësorit për të ndërhyrë në përbërjen e ekzekutivit?

Pezullimi nga detyra për aq sa dimë nuk është akt politik, por instrument procedural i parashikuar nga ligji penal për të garantuar integritetin e hetimit. Ai kërkon kushte të verifikueshme, dyshim të arsyeshëm, proporcionalitet dhe kontroll gjyqësor, që në fund vendoset nga gjykata, jo nga prokuroria. Por edhe nëse ajo vepron “afërmendsh” dhe SPAK i ka lejuar vetes kompetenca që nuk i takojnë, sërish çdo masë është e individualizuar, e arsyetuar dhe e apelueshme nga secili anëtar kabineti.

Pezullimi është mjet procedural për të mbrojtur hetimin nga ndikimi i mundshëm i personit në funksion publik. Ajo prek ushtrimin e përkohshëm të një detyre, jo legjitimitetin e pushtetit ekzekutiv.

Në një shtet të së drejtës, aftësia për të hetuar zyrtarë të lartë nuk është deformim i balancës institucionale. Përkundrazi, është prova se balanca ekziston. Dobësia e sistemit nuk qëndron tek hetimi i pushtetit, por tek pamundësia për ta hetuar atë.

Këtu ka ngecur kjo reformë, që e kritikuar herët për mënyrën si u eksperimentua pa asnjë precedent e asnjë pasues, po tentohet të ribëhet nga të njëjtët që u nisën për të vënë vetulla e nxorën sy.

Rendi kushtetues nuk rrëzohet nga hetimi i pushtetit. Ai rrëzohet kur pushteti nuk hetohet dot. Dhe nëse ka precedent që duhet të na shqetësojë, më shumë se aftësia e drejtësisë për të ndërhyrë mbi individë në funksion publik është normalizimi i mungesës së llogaridhënies nga të mandatuarit e popullit.

Shteti nuk ndërtohet mbi frikën se kush ka marrë shumë pushtet, por mbi sigurinë se askush nuk e ushtron atë pa kufij. Ata që e zbatuan eksperimentin e dinin mirë këtë dhe me gjasë kanë patur veç një besim: pushtetin e përjetshëm. Ama pushteti që kërkon të jetë i përjetshëm, fillon të vdesë bash në çastin kur nuk pranon kufij.