Rama në cajtnot për Ballukun, çdo minutë e humbur e rrënon atë vetë!

Nga Petrit Vasili/

Mosvendimi i djeshëm i Kushtetueses, që praktikisht shkarkon Ballukun nga qeveria, e ka futur përfundimisht Ramën në cajtnot.

Cajtnot është ai moment në lojën e shahut kur humbet ndeshjen se nuk ke bërë lëvizjen brenda kohës së përcaktuar.

Çdo kryeministër tjetër do ta kishte shkarkuar menjëherë Ballukun, si dhe nuk do të vonohej asnjë minutë për t’i hequr imunitetin në Kuvend, sipas kërkesës së SPAK-ut, edhe për të mbrojtur veten dhe qeverinë.

Çështja Balluku e nxori vërtet lakuriq Ramën dhe ia dogji kohën që donte të fitonte me çdo mjet.

Sulmi ndaj drejtësisë, ankimimi në Kushtetuese, zvarritja në Kuvend ishin dhe mbeten hapa fatalë për Ramën.

Në të gjitha zyrat e ndërkombëtarëve kjo sjellje e Ramës i ka lënë pa fjalë të gjithë.

Ndërkombëtarët i kanë bërë shërbim teorisë që Rama është kryeministër i fortë dhe ia del edhe në situata të ndërlikuara.

Por çështja Balluku nxori në pah një Ramë si kryeministër shumë të dobët, të shantazhueshëm dhe që nuk mban dot qëndrime parimore as për sy e faqe dhe që nuk shkarkon dot as një vartës të tij të akuzuar rëndë si Balluku.

Rama, nën shantazh dhe kërcënim, shkatërroi edhe hipokrizinë dhjetëvjeçare të Reformës në Drejtësi, duke u shfaqur si armiku më i egër i saj, por duke vënë në një pozicion qesharak ndërkombëtarët që e reklamuan Ramën si dashnorin e përbetuar të kësaj reforme.

Por kaq i frikësuar është Rama sa që u përpëlit dhe u zvarrit, duke rënduar veten në mënyrë kritike.

E gjithë media më prestigjioze ndërkombëtare, e cila ka edhe shumë ndikim në politikë, e ka paraqitur si një ngjarje skandaloze rastin e zv.kryeministres dhe ankimimin e Ramës në Kushtetuese.

Vënia përballë njëra-tjetrës e qëndrimit të Ramës përballë Ahmetajt dhe atij përballë Ballukut ia ka nxjerrë bojën totalisht Ramës.

Ndaj Rama tani në Kuvend është në cajtnot të plotë dhe s’ka më asnjë minutë kohë, pasi sekondat që kalojnë janë grushte vetëm në kokën e tij.