Kushtetuesja ‘lan duart’ me Ballukun ‘pa vendim’/ Nuri: Precedenti i rrezikshëm që mund të prekë edhe Ramën!
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e qeverisë për të shpallur si antikushtetues vendimin e GJKKO-së për pezullimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Me një rezultat të pazakontë 4 me 4, pa arritur një shumicë, kërkesa e Këshillit të Ministrave u konsiderua e rrëzuar, duke lënë në fuqi masën e sigurisë të vendosur nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
I ftuar në edicionin e lajmeve të Syri Tv, drejtuesi i Departamentit të Drejtësisë në PD, Franc Nuri tha se ky vendim, praktikisht nuk i jep zgjidhje thelbit të çështjes. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk u thellua në interpretimin kushtetues nëse SPAK ka apo jo të drejtë të kërkojë pezullimin e funksionarëve të lartë, duke lënë kështu një boshllëk të rrezikshëm juridik.
“Duke mos marrë një vendim themeli, Gjykata Kushtetuese nuk e ka zgjidhur problemin nëse do të shtrohet i njëjti problem në të ardhmen,” shprehet Nuri. Ai paralajmëron se ky ngërç procedural krijon një precedent, i cili mund të përsëritet nëse SPAK do të kërkonte një masë të ngjashme pezullimi për kryeministrin Edi Rama apo ministra të tjerë të kabinetit.
Një skenar i tillë do të rrezikonte të niste një tjetër “kalvar” institucional, duke thelluar përplasjen mes pushteteve. Pasojat e menjëhershme të vendimit janë të qarta: Belinda Balluku mbetet e pezulluar nga detyra dhe me ndalim për të dalë jashtë shtetit.
Pas një seance mbledhjeje maratonë, le të themi, nga trupa e Gjykatës Kushtetuese, e cila zgjati mbi 10 orë, më në fund pas tre herë mbledhjesh të gjyqtarëve, më në fund u arrit të merrej një vendim që nuk është një vendimmarrje as pro dhe as kundër thelbit të kërkesës së depozituar nga kërkuesit, por praktikisht me anë të këtij ngërçi procedural po të themi, me anë të këtij mekanizmi barazim votash, 4 me 4, u hodh poshtë kërkesa e paraqitur nga Kryeministria, nga Edi Rama në rastin e pezullimit nga detyra të zonjës Balluku, të zëvendëses së tij. Pra, duke mos marrë një vendim themeli, Gjykata Kushtetuese nuk e ka zgjidhur problemin nëse do të shtrohet i njëjti problem në të ardhmen.
Unë uroj që mos të kemi prapë të njëjtën situatë dhe uroj që nëse do të ketë skenar për zotin Rama në të ardhmen për implikime eventuale dhe një kërkesë nga ana e SPAK-ut, uroj të mos kalojë më me pezullim nga detyra, por të kalojë direkt në masën më të lartë që ka mundësi të kërkojë edhe Prokuroria e Posaçme, arresti në shtëpi apo arresti në burg. Pse? Sepse pikërisht pezullimi nga detyra i kërkuar për herë të parë herës, e solli dhe këtë pështjellim. Çfarë do të thotë? Se nëse do të kërkohet nga SPAK-u pezullimi nga detyra i kryeministrit, i një ministri apo një zëvendës kryeministri tjetër në të ardhmen, ëh prapë ka të drejtë le të themi nga ana formale, institucioni i Kryeministrisë që t'i drejtohet Kushtetueses sepse thotë që ky interpretim nuk është bërë. Nuk është ndarë përfundimisht.
Me këtë vendimmarrje që u mor dje, rimori përsëri fuqi, iu dha përsëri fuqi ligjore vendimit të shkallës së parë të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendim i cili e ka pezulluar zonjën Balluku dhe i ka ndaluar asaj daljen jashtë vendit. Por, kini parasysh që nuk, nuk mendoj se kjo sagë do të mbarojë kaq lehtë. Përse e them këtë gjë? Ç’do të thotë? Më lejoni ta shpjegoj me dy fjalë sepse i kam ndjekur reagimet nga mbrëmë dhe sot nga shumë, po themi, persona dhe ekspertë të fushës dhe askush nuk e ka prekur për momentin këtë element.
Në momentin që u dha vendimi i shkallës së parë nga gjykata, për të dyja masat, avokatët e zonjës Balluku e ankimuan në Apel të Gjykatës së Posaçme. Dhe ndërkohë kishte ndodhur pezullimi i vendimmarrjes nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata e Apelit nuk pati mundësi të shprehej për masën e pezullimit, por u shpreh vetëm për daljen jashtë vendit. Dhe Apeli e konfirmoi, Apeli e konfirmoi bllokimin e daljes jashtë vendit si të ligjshëm. Mirëpo, Apeli i Gjykatës së Posaçme nuk është shprehur dot ende për pjesën e parë, për pezullimin, dhe unë kam merak dhe unë druaj se tashmë do të vijojë presioni ëh në kuptimin e presionit politik dhe presionit mediatik tashmë te Gjykata e Apelit, sepse ngelet për t’u gjykuar dhe për t’u vlerësuar në Apel, masa e pezullimit.