‘Do të jetë protesta më e madhe ndonjëherë’/ Banorët e Rrjollit: Kryeministri mos na bjerë në qafë...
Tensionet janë përshkallëzuar në zonën e Rrjollit, ku banorët kanë hyrë në ditën e gjashtë të protestës së tyre kundër ndërtimit të një resorti turistik nga investitori strategjik.
Ata e cilësojnë projektin si një “grabitje” të hapur të pronave të tyre dhe paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen.
Një përfaqësues i banorëve, duke folur për Syri TV, deklaroi se ata zotërojnë dokumentacion të rregullt për 400 dynym tokë, të mbështetur nga një vendim gjykate i vitit 2006 dhe një ligj i vitit 2008.
Protesta, sipas tyre, do të vijojë pa afat. “Kjo protestë nuk do të mbyllet as sot, as këtë muaj. Do të jetë protesta më e madhe ndonjëherë”, paralajmëroi përfaqësuesi i tyre.
Banori: Unë jam i përfaqësuesi i Shullajve, që kemi letrat e tokës, 400 dynym tokë. Që e kemi bërë me dokumenta të rregullta. Në 2006-ën kemi një vendim gjykate që e kemi fituar. Në 2008-ën Sali Berisha ka nxjerrë një ligj që ne e kemi fituar me urdhër të premë. Edhe ne fjetëm mendjen...
Sot është dita e gjashtë. Dje kemi bërë një protestë shumë pak njerëz, por kemi bërë një protestë që është e papame. Sot po mblidhet populli, e shihni vetë. Çfarë do të vijnë, do të shihet javën tjetër. Kjo do të jetë një protestë që nuk do të mbyllet as sot, as këtë muaj. I bëjmë thirrje shtetit. I bëjmë thirrje tërë shtetit tonë, shtetit shqiptar. T'i vënë këto letra në dukje. I bëjmë thirrje SPAK-ut. Kemi qenë përpara SPAK-ut, një vit po bëjmë në maj, që na ka çuar, para 10 ditësh na ka çuar në Shkodër. Ne jemi, të hënën do të bllokojmë derën e Shkodrës, te prokuroria. Dhe janë pak sot çfarë do të shkojnë të hënën në Tiranë. Punëtorët e firmës janë duke punuar, gjithçka në këtë dynym janë duke punuar. Sot për sot, nuk e di a janë duke punuar, a janë duke punuar prapë? Janë bllokuar fije... a janë bllokuar se na ka policë pak? A janë bllokuar se u duket popull shumë? Ata ta zgjidhin vetë. Por kjo do të jetë një protestë që nuk do të bëjmë vaki në tërë botën, që do të jetë protesta më e madhe ndonjëherë. Kjo protestë as mbyllet sot, as këtë muaj. I bëjmë thirrje që tërë emigrantët, të mblidhen në këtë tokë. T'i dalim zot tokave të parëve tanë, që na e kanë lënë me djersë, ka ndenjur zveshur, zbathur, ka jetuar në kasolla, nuk ka jetuar luksoze.