U nis 3 ditë më parë për të çuar bagëtitë në fshatin Trebickë, humb 55-vjeçari në Korçë
Një 55-vjeçar nga fshati Koblarë është shpallur i humbur prej tre ditësh. Sipas informacioneve, shtetasi Flamur Takon, më 4 shkurt, në orët e mbrëmjes, është nisur drejt fshatit Trebickë për të çuar bagëtinë, por nuk është kthyer më në banesë dhe që prej asaj dite nuk ka asnjë kontakt me familjen.
Sipas familjarëve, telefonatat kanë qenë të pamundura dhe çdo përpjekje për ta gjetur ka rezultuar e pasuksesshme.
I biri i 55-vjeçarit ka bërë denoncim zyrtar në polici, ndërsa strukturat përkatëse kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij.
Familja apelon për ndihmë dhe kërkon që kushdo që ka informacion mbi vendndodhjen e Flamur Takos, të kontaktojë menjëherë policinë ose familjarët.