9 Pyetje/ Përgjigje për Belinda Ballukun, zv/kryeministres i ndalohet të hyjë në zyrën e saj në Kryeministri
Çfarë do të thotë për Belinda Ballukun vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese?
Votimi 4 me 4 i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese sot (6 shkurt 2026) ndaj kërkesës së kryeministrit Edi Rama do të thotë rrëzim i kërkesës së KM.
Votimi bën që Belinda Balluku të jetë automatikisht e pezulluar nga detyra e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, sepse merr fuqi ligjore përsëri vendimi i GJKKO-së, (20 nëntor 2025) që i dha të drejtë kërkesës së SPAK për pezullim nga detyra. Pra vendimi i ndërmjetëm që u mor nga Kushtetesja 12 dhjetor 2025, me të cilin pezullohej vendimi i GJKKO, bie automatikisht sepse ka përfunduar gjykimi. Vendimi merr fuqi ligjore me botimin në Fletore Zyrtare.
Rikthehet në fuqi vendimi i GJKKO-së, që ishte ngrirë nga vendimmarrja e parë e Gjykatës Kushtetuese (12 dhjetor 2025) pra pezullimi nga detyra i Ballukut.
Si u ndanë votat në gjykatë Kushtetuese?
Katër gjyqtarët e Kushtetueses që votuan kundër kërkesës së kryeministrit janë: Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Sandër Beci, Asim Vokshi
Ata që votuan pro kërkesës së qeverisë, ishin 4 gjyqtarët: Marjana Semini, Gent Ibrahimi, Sonila Bejtja dhe Fjona Papajorgji.
Po tani?
Defakto nga e hëna (9 shkurt) Belinda Balluku nuk do të ketë më mundësi të shkojë në zyrën e saj në kryeministri. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese hyn në fuqi me botimin në Fletore Zyrtare.
Çfarë objekti kishte kërkesa e këshillit të Ministrave?
Më 22 nëntor 2025 Rama çoi në Gjykatë Kushtetuese kërkesën me objekt: Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër;
Shfuqizimin e vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës.
Pse Balluku vijoi detyrën si ministre për më shumë se 1 muaj?
Më 12 dhjetor 2025 Gjykata Kushtetuese ngriu vendimin e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres e ministres së Infrastrukturës e Energjisë Belinda Balluku dhënë nga GJKKO dhe me shumicë votash vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike që u zhvillua më 22 janar 2026.
Pra nga 12 dhjetori e deri sot , Balluku vijoi detyrën e saj si zv/kryeministre e ministre duke hedhur firmën e saj për “punët e lëna pezull”.
Kuvendi, a do t’i heqë imunitetin Ballukut?
Në 16 dhjetor 2025 SPAK dërgoi kërkesë në Kuvend ku i kërkon heqjen e imunitetit Belinda Ballukut për t‘i hapur rrugë arrestimit të saj, pasi ka prova që ajo ka kërcënuar një dëshmitare, vartëse të saj dhe se rrezikon prishjen e provave.
Kërkesa duhet të shqyrtohet në Këshillin e Mandateve por maxhoranca vijon të zvarrisë vendimin duke mos pranuar të mblidhet, pavarësisht insistimit të opozitës. Në fund të janarit Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi njoftoi shtyrjen pa afat të mbledhjes së Këshillit për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin me justifikimin se vendimi i Kuvendit për heqjen e imunitetit të Ballukut varet nga vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese. Mbledhja e parë e Këshillit u thirr më 19 dhjetor. Tani mbetet për tu parë
Çfarë synon PS e Rama?
Shtyrja përtej 3 muajve e shqyrtimit të kërkesës së SPAK mund të çojë në rrëzimin automatik të saj, sipas parashikimeve të Rregullores së Kuvendit. Pra ka më shumë se 1 muaj e gjysmë zvarritje.
Balluku është rasti i parë kur një zyrtare kaq e lartë e qeverisë merret e pandehur nga SPAK me akuza për shkelje të barazisë në tendera me vlerë qindra milionë euro dhe vijon të qëndrojë në detyrë, ndërkohë që kryeministri bën mbrojtjen e saj juridike dhe publike. Sipas akuzave të opozitës dhe medias, Rama synon të mos e lëshojë pasi Balluku e merr me vete edhe atë si urdhërues kryesor i aferave korruptive në ministrinë e Infrastrukturës
Për çfarë akuzohet Balluku?
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, atë të Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese. Më 31 tetor 2025 zëvendëskryeministrja Balluku është marrë e pandehur me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera në tunelin e Llogarasë.
Po ndërkombëtarët?
Presioni ndërkombëtar mbi Edi Ramën po rritet në progresion asfiksues. Të hënën, kryeministri i Shqipërisë do të udhëtojë drejt Brukselit për t'u takuar me presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa. Takimi i beftë dhe i palajmëruar vjen në kontekstin e zhvillimeve të fundit në Shqipëri, veçanërisht ngërçit institucional të krijuar pas hetimit të SPAK ndaj Belinda Ballukut dhe refuzimit të mazhorancës për të dhënë autorizimin për arrestimin e saj. Qëndrimi i mazhorancës për arrestimin apo jo të zv.kryeministres do të ketë pasoja për integrimin.