Mbappé rikthehet kundër PSG-së, nis procedurë ligjore për miliona euro të papaguara
Kylian Mbappé ka rihapur përplasjen ligjore me Paris Saint-Germain, duke ndërmarrë një hap konkret kundër ish-klubit të tij. Sulmuesi aktual i Real Madridit dërgoi këtë të premte një përmbarues në selinë e PSG-së, me qëllim ekzekutimin e një urdhri pagese për 5.9 milionë eurosh, shumë që klubi parizien ende nuk ia ka shlyer.
Sipas medias franceze, kjo lëvizje vjen në kuadër të një konflikti më të gjerë financiar, pasi në dhjetor Këshilli i Punës (Conseil de Prud’Hommes) i dha të drejtë Mbappé-së, duke e dënuar PSG-në ta dëmshpërblejë me 60.9 milionë euro për paga dhe bonuse të papaguara. Nga kjo shumë, klubi ka transferuar vetëm 55 milionë euro, duke lënë ende një detyrim të hapur ndaj futbollistit.
PSG-ja ka afat deri më 19 shkurt për të apeluar vendimin, por pavarësisht deklaratave fillestare për veprim “me mirëbesim”, klubi nuk e ka përmbushur plotësisht detyrimin financiar. Nëse brenda tetë ditëve të ardhshme nuk respektohet urdhri i pagesës, përfaqësuesit ligjorë të Mbappé-së mund të kërkojnë bllokimin e përkohshëm të rreth 5 milionë eurove nga llogaritë e kampionëve të Evropës.
Drejtësia franceze, si ajo e futbollit profesionist ashtu edhe ajo civile, i ka dhënë tashmë të drejtë lojtarit, duke e bërë shumë të vështirë suksesin e një apeli të PSG-së. Nga ana e tij, Mbappé dhe ekipi ligjor nuk parashikojnë asnjë ndërmjetësim dhe synojnë që shuma e mbetur t’i transferohet lojtarit në ditët në vijim, duke e çuar këtë çështje drejt një epilogu të detyruar për klubin parizien.