Traumë për Flamurtarin, Egnatia fiton minimalisht në Vlorë dhe barazon Elbasanin në renditje

Egnatia ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Flamurtarin me rezultatin 0-1 në Vlorë, në një ndeshje të luftuar dhe të mbushur me episode vendimtare. Me këtë sukses, rrogozhinasit ngjiten në kuotën e 42 pikëve, duke barazuar AF Elbasanin në vendin e dytë, ndërsa Flamurtari mbetet i fundit me 19 pikë.

Pjesa e parë u karakterizua nga kujdes i madh nga të dyja skuadrat, por jo pa raste. Flamurtari u shfaq disa herë i rrezikshëm me Bintsukën dhe Maksutin, ndërsa Egnatia u përgjigj me tentativa nga distanca dhe goditje me kokë të Fernando-s, të ndalur nga Aleksovski. Portierët ishin protagonistë dhe fraksioni i parë u mbyll pa gola.

Vendimi i takimit erdhi menjëherë pas pushimit. Në minutën e 47-të, Ruçi depërtoi nga krahu i djathtë dhe harkoi saktë në zonë, ku Bakajoko u shkëput bukur dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin Egnatias.

Flamurtari reagoi fuqishëm. Vlonjatët pretenduan për penallti në minutën e 65-të pas një devijimi të dyshimtë me dorë në zonë, por loja vijoi pa ndërhyrjen e VAR-it. Më pas, rastet u shtuan: Peralta goditi me kokë në minutën e 75-të, por Dajsinani bëri një pritje spektakolare duke devijuar topin në shtyllë, ndërsa Trashi provoi nga goditja e dënimit, sërish pa e thyer rezistencën e portierit të Egnatias.

Minutat e fundit u luajtën nën presionin e vendasve, por mbrojtja dhe Dajsinani mbajtën portën të paprekur, duke i siguruar Egnatias tri pikë të arta në garën për kreun e renditjes.