VIDEO-SYRI TV/ Imuniteti i Ballukut, Rama thirret me urgjencë në Bruksel nga Antonio Costa
Teksa Gjykata Kushtetuese po përpëlitet pa dinjitet për të zvarritur çështjen Balluku, duket se presioni ndërkombëtar mbi Edi Ramën po rritet në progresion asfiksues. Të hënën, kryeministri i Shqipërisë do të udhëtojë drejt Brukselit për t'u takuar me presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa.
Takimi i beftë dhe i palajmëruar vjen në kontekstin e zhvillimeve të fundit në Shqipëri, veçanërisht ngërçit institucional të krijuar pas hetimit të SPAK ndaj Belinda Ballukut dhe refuzimit të mazhorancës për të dhënë autorizimin për arrestimin e saj.
Tashmë po bëhet gjithmonë e më e qartë se Brukseli ka perceptuar një kthesë në qëndrimin e Edi Ramës dhe maxhorancës socialiste në raport me drejtësinë e re. Teksa për vite me radhë kryeministri u është shitur ndërkombëtarëve si udhëheqësi i vetëm politik në Shqipëri që respekton pavarësinë e drejtësisë, çështja Balluku, por edhe ajo e AKSHI-t duket se e grisën perden e propagandës, duke e detyruar Edi Ramën që tashmë të qëndrojë përballë drejtësisë për ta penguar atë.
Një burim në Bruksel i tha Kapitalit se një nga temat e nxehta që do të preket të hënën në Bruksel është pikërisht çështja e imunitetit të Belinda Ballukut. Në këtë pikë, kërkesa e Brukselit është e qartë. Edi Rama duhet ose të dorëzojë imunitetin e zëvendëses së tij, ose të bëjë llogaritë me atë që do të ndodh më pas me qëndrimet e Brukselit.
Nuk dihet nëse diskutimet për këtë temë do të bëhen pjesë edhe e njoftimit zyrtar, që do të nxirret pas takimit mes Antonio Costas dhe Edi Ramës. Por ajo që dihet është se këto kohë në kancelaritë e Europës ka patur lëvizje të shumta.
Këtë javë Antonio Costa dhe Ursula Von Der Leyen ishin të dy në Paris, ku u takuan me presidentin francez Manuel Macron.
Në Bruksel ka një rrymë që e njeh mirë fuqinë e madhe lobuese të Edi Ramës, e cila druhet se kryeministri shqiptar mund të lobojë përmes miqësive personale me Macron apo ndonjë udhëheqësi tjetër europian, për të zbutur gjuhën dhe qëndrimin e Brukselit ndaj Shqipërisë.
Nuk dihet nëse në takimin e dyshes Costa-VDL me presidentin Macron është cekur edhe tema e Shqipërisë. Por pas mbledhjes së COELA-s javën e kaluar, ujërat janë trazuar jo pak./ Kapitali.al