Musta: Protesta e 10 shkurtit vendimtare, pjesëmarrja e qytetarëve duhet të jetë masive

Doktoresha Elisabeta Musta, në foltoren e radhës të Partisë Demokratike, u shpreh se protesta e 10 shkurtit dhe vazhdimësia e saj janë shumë të rëndësishme për opozitën. Ajo theksoi se pjesëmarrja e qytetarëve është elementi kyç për suksesin e këtyre protestave.

Sipas saj, kjo pjesëmarrje mund të sigurohet vetëm përmes rinovimit dhe ristrukturimit të strukturave të PD-së.

Musta u ndal edhe tek rëndësia e përzgjedhjes së kujdesshme të kandidatëve dhe organizimit të fushatës, për të shmangur përçarjet brenda partisë.Doktoresha nënvizoi se vetëm me organizim të mirë dhe strukturë të fortë, protesta e 10 shkurtit mund të ketë impakt të vërtetë politik.

Fjala e saj:

Mirëmbrëma, anëtarë të nderuar të degës tetë dhe dhjetë, dhe kryetarëve, sidomos kryetarit tonë, Gazmend Sallakut. Ajo që doja të thoja unë shumë shkurtimisht, ndoshta në vazhdimësi të idesë së Reit. U tha këtu që komisionerët, të paktën në degën tonë unë mund të flas për degën tonë, për tetën kam qenë kryetare e KZAZ-së dhe pothuajse i njoh të gjithë ata komisionerë të degës tetë: kryetarët e komisioneve dhe sekretarët. Unë nuk besoj, me aq sa arrij t’i njoh unë njerëzit, që ndonjëri nga ata të jetë shitur, ose që ndaj ndonjërit nga ata të jetë ushtruar presion. Aq më tepër që ndonjëri nga ata punonte për një parti tjetër.

Në qoftë se ne arrijmë të ngremë dyshime të tilla për njerëzit që ditën e zgjedhjeve janë më të besuarit e partisë, ne kot ekzistojmë si forcë politike. Sigurisht, në qoftë se ka prova për të kundërtën, çdo kush është i lutur t’i nxjerrë në pah duke filluar nga unë e para dhe duke mbaruar te Gazi i fundit.

E dyta që do të thoja, e cila është shumë e rëndësishme sipas meje: dega tetë është dega që ju me të drejtë e përshëndetët dhe e uruat për historinë e saj të lavdishme në rrugën e Partisë Demokratike. Unë do t’ju kërkoja që herë tjetër përzgjedhja e kandidatëve të ishte pak më e kujdesshme, jo vetëm për degën tetë. Ndoshta është dhe faji i kodit zgjedhor. Po ashtu, mënyra e organizimit të fushatës duhet të ishte më e kujdesshme: jo secili kandidat me grupin e vet, duke lënë strukturën të çorientuar komplet, pa ditur pas kujt të shkojë, dhe duke krijuar përçarje brenda strukturës.

E treta, më e rëndësishmja, doktor, sigurisht që protesta e datës 10 dhe vazhdimësia e protestave janë shumë të rëndësishme. Por ajo që besoj unë se është më e rëndësishmja është pjesëmarrja e njerëzve, dhe kjo sigurohet vetëm me rinovimin e strukturës. Është shumë i drejtë udhëzimi që ka nxjerrë sekretari i përgjithshëm. Dhe duhet punuar njëkohësisht, krahas përgatitjes për protestën, edhe për ristrukturimin e strukturave.

Sepse sot ne jemi vërtet shumë këtu, por zoti i deleguar te dega jonë e ka parë që ne çalojmë edhe në anëtar kryesie, edhe në kryetar komisione, kryetar grupseksionesh dhe në kryetar seksionesh. Prandaj, ristrukturimi është pika më e rëndësishme sot. Hap pas hapi, domethënë duke ecur hap pas hapi, jo vetëm me organizimin e protestave, por edhe me ristrukturimin.