'Bij komunistash', Lushaj: Të gjithë të marrim një kosto dhe ta heqim këtë shpurë

Në foltoren e PD, Shpresa Lushaj, anëtare e Partisë Demokratike prej 34 vitesh, u shpreh se “çdo betejë ka kosto” dhe i bëri thirrje demokratëve të marrin përgjegjësi për rrëzimin e qeverisë Rama.

 Ajo deklaroi se ka ardhur momenti që “të gjithë të marrim një kosto dhe ta heqim këtë shpurë”, duke akuzuar qeverinë si një trashëgimi të drejtpërdrejtë të komunizmit dhe një regjim grabitqar që mbahet në pushtet me frikë dhe interes.

Gjatë takimit Lushaj solli në vëmendje sakrificat e familjeve demokrate që nga themelimi i Partisë Demokratike, duke theksuar se pa kosto dhe pa përballje nuk ka fitore. Me tone të ashpra, Lushaj kritikoi ata që, sipas saj, zgjedhin të qëndrojnë pasivë, duke u justifikuar me lidhje familjare apo interesa pune, ndërsa vendi zhytet çdo ditë e më shumë në varfëri dhe padrejtësi.

“Nuk është momenti për ankesa dhe fajësime,” theksoi ajo, duke shtuar se sot kërkohet unitet, forcë dhe dalje masive në protesta për të larguar atë që e cilësoi si “shpuzë bikomuniste” dhe “hajdutë që nuk ka bërë vaki në historinë e njerëzimit të vjedhin dhe të rrinë në pushtet”.

Fjala e saj:

Mirëmbrëma, zoti Berisha, mirëmbrëma njësia numër tetë, njësia numër nëntë, anëtarë të Partisë Demokratike, demokratë, qëndrestarë, aktivistë. Unë jam Shpresa Lleshaj, anëtare e Partisë Demokratike prej 34 vitesh, edhe aktiviste e pandarë asnjëherë. Kam qenë koherente në të gjitha aktivitetet, fitoret, humbjet, disfatat, çdo gjë që ka pasur Partia Demokratike, dhe do të jem deri në fund të jetës time. Janë idealet e mia.

Doktor, me shumë respekt, jo pse unë i takoj krahinës së Tropojës, por sot do të flas si demokrate. Sepse një vit anëtarësi kam bërë në Tropojë, 33 vjet në Tiranë, dhe fatmirësisht në njësinë numër tetë. Jam shumë e lumtur që kam punuar mes këtyre njerëzve, tiranas “del baba del”, që na kanë mirëpritur në mënyrën më të mirë, dhe sot i kam të gjithë miq, shokë dhe kaloj jetën me ta. Kemi punuar me kënaqësi dhe krenari dhe kemi dalë gjithmonë fitimtarë.

Unë sot do të them diçka: çdo betejë ka kosto dhe pa kosto nuk kemi asnjëherë fitore. Në çdo betejë që ka pasur Partia Demokratike, familja ime ka pasur kosto. Në themelet e Partisë Demokratike ne kemi dhënë edhe gjak dhe asnjëherë nuk jemi zbrapsur.

E them këtë për të thënë një gjë shumë të rëndësishme: në qoftë se ne nuk e vëmë edhe veten që do të kemi një kosto familjare dhe të dalim në protestë, dhe të themi “djali im është në punë dhe unë nuk dal dot”, “vëllai im punon atje dhe unë nuk dal dot”, ka ardhur momenti që të gjithë të marrim një kosto dhe ta heqim këtë shpurë kaq të keqe, këta bikomunistë që janë vërtet nipat e Spiro Kolekës, nipat e atyre që neve na kanë internuar, na kanë burgosur. Kemi vuajtur dhe po vuajmë akoma edhe sot këta hajdutë që nuk ka bërë vaki në historinë e njerëzimit të vjedhin, të plaçkisin dhe të rrinë në pushtet.

Dhe ne të rrijmë duarkryq e të mos marrim pjesë, duke thënë “po e ka fajin ky kryetar”, “po e ka fajin ai anëtar”, nuk është momenti. Të kemi ankesa, kemi vërejtje, kemi komente, por nuk është momenti. Ne duhet të jemi të fortë, siç je ti i fortë, doktor.

Unë faktikisht jam berishiane. Më vjen keq, t’i vjen keq apo t’i vjen mirë kujt të doni. Arsyeja pse jam berishiane është se në momentet më kritike, kur burri im ishte i dënuar politik me 12 vjet, ishe ti i pari që u ngrite. Dhe sot jemi të lirë, e gëzojmë demokracinë, sepse na hoqe ato pranga.

Prandaj, ndoshta për mua është individuale, por tek puna, morali dhe ndërgjegjja jote, doktor, nuk u dorëzove në asnjë moment. Je vital dhe të uroj shëndet, jetë dhe vitalitet sa më të madh. Pa ty ne nuk do të kishim parti, sepse ata u munduan ta asgjësonin Partinë Demokratike bashkë me ty. U ngrite dhe ja ku jemi sot.

Vërtet ndoshta jemi pak në numër, sepse rinia ka emigruar, por kam edhe një kërkesë të vogël. Forumi i Gruas Demokratike ka qenë gjithmonë primar dhe forca më e madhe, po ashtu edhe rinia. Unë, me respektin më të madh për kryetaren e forumit rinor dhe të Partisë Demokratike, e di që kanë angazhime të shumta. Ndoshta nuk ju del koha që t’i aktivizojnë sa duhet.

Ne duhet të takojmë çdo grua, të takojmë çdo të ri, t’i aktivizojmë më shumë, t’i afrojmë më shumë, t’i dëgjojmë dhe t’i kemi në çdo protestë dhe në çdo hap që merr Partia Demokratike. Prandaj, jo sot, por kurdo që të vijë momenti, kryetarja e gruas duhet të jetë e lirë nga angazhimet e tjera politike për të drejtuar këtë forcë të madhe, që është sot forca më e madhe që mund të ngremë.

Respekte dhe mirënjohje. Ju them të drejtën, do të punojmë me gjithë forcën që të jemi sa më shumë në protesta dhe në të gjitha proceset e Partisë Demokratike.