Përmbysja e Elbasanit, Gvozdenoviç: Sekreti i fitores? Të gjithë meritën e ka stafi im
Elbasani arriti të mposhtte Teutën me rezultatin 2-1 në “Elbasan Arena”, me Insa Boye që u bë protagonist duke realizuar dy gola për përmbysjen e rezultatit. Pas ndeshjes, trajneri i verdhebluve, Ivan Gvozdenoviç, tregoi të vërtetën pas suksesit.
“Duhet ta them qartë: të gjitha meritat i ka stafi im. Nuk ishte vendimi im për të futur Boye, mendja ime ishte për një tjetër lojtar, si Qose apo Bunjaku. Por stafi më bindi se Boye ishte gati. E dija nga stërvitjet që ishte në formë, por ndoshta ishte herët për të. Kështu që merita nuk është imja, por e stafit,” tha Gvozdenoviç.
Ai shtoi se skuadra e tij ishte më e mirë gjatë gjithë ndeshjes dhe dominonte lojën: “Kam respekt për Teutën, por ata shënuan nga një rast dhe pak me fat. Pjesa e parë dhe e dyta ishin të përgatitura njësoj, por në fillim ishim pak më të kujdesshëm. Pas disa minutash kapëm ritmin dhe krijuam shumë raste. Diallo ishte afër golit dy herë, por i mungoi finalizimi.”
Trajneri vlerësoi gjithashtu shpejtësinë e lojtarëve të tij: “Ishim të përgatitur për të sulmuar nga të dy krahët. Lojtarët tanë janë shumë të shpejtë dhe kur sulmojnë hapësirat, është e vështirë për kundërshtarët. Ndoshta nuk i sulmuam mjaftueshëm sepse ishim në avantazh dhe topi i lirë,” përfundoi Gvozdenoviç.
Ky sukses mban Elbasanin afër kryesimit, me vetëm tri pikë diferencë nga Vllaznia në vendin e parë.