Liverpooli përballet me krizën e mungesave, Slot: Për disa gjëra mund të kem faj, por jo për dëmtimet

Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, pranoi se ekipi po përballet me një “sfidë të vështirë” për pjesën tjetër të sezonit për shkak të krizës së dëmtimeve në mbrojtje. Situata bëhet më e ndërlikuar me tri ndeshje brenda shtatë ditësh.

Slot tha se është i kënaqur me grupin, por mungesat e lojtarëve kryesorë e kufizojnë shumë ekipin. Conor Bradley dhe Giovanni Leoni janë jashtë deri në fund të sezonit, ndërsa Jeremie Frimpong po rikuperohet nga një dëmtim në kofshë. Joe Gomez mund të kthehet si zëvendësues ndaj Manchester City-t këtë fundjavë.

Trajneri shtoi: “Ky grup lojtarësh ka shumë për të dhënë, por për të arritur më shumë, të gjithë duhet të jenë të gatshëm. Për disa gjëra ndoshta kam pak faj, por për dëmtimet nuk mund të bëj asgjë. Tani kemi 16 lojtarë në dispozicion, përfshirë Trey Nyoni dhe Rio Ngumoha”.

Slot theksoi se skuadra mund të bëjë shumë më tepër sesa deri tani, por kjo kërkon që të gjithë lojtarët të jenë të gatshëm. Me tri ndeshje në shtatë ditë, për trajnerin kjo do të jetë një sfidë shumë e vështirë.

Aktualisht, Liverpooli gjendet në vendin e gjashtë në Premier League, 14 pikë larg liderit Arsenal dhe jashtë zonës që kualifikon për UEFA Champions League.