Martini: Balaj meriton fjalët më të mira si kapiten
Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, u shfaq i qetë dhe me humor pas fitores minimale ndaj Vorës, duke e cilësuar suksesin si shumë të rëndësishëm për vazhdimësinë e rezultateve dhe rritjen e ekipit.
“E kishim vlerësuar maksimalisht Vorën, sepse ka ekip simpatik dhe e dinim që ishte një ndeshje e fortë për pozitat që kemi. Na duheshin pikët dhe kjo ishte më e rëndësishme se mënyra e lojës. Pas minutës së 15-të bëmë një ndeshje të mirë, shënuam dhe mbi të gjitha nuk pësuam gol. Ekipi është bërë më cinik dhe më i ndërgjegjshëm për atë që kërkojmë, kemi krijuar frymë grupi dhe kjo po na ndihmon shumë.
Ekipi është në rritje, por kemi ende nevojë të përmirësohemi. Ajo që kemi ndryshuar është pragmatizmi, sepse ka filluar numërimi mbrapsht dhe duhen pikët. Të gjithë lojtarët luftojnë, sakrifikojnë dhe kthehen pas vijës së topit, çka tregon besimin dhe shpirtin e grupit. Kur fiton njeriu, bën edhe si filozof, por rëndësi kanë tri pikët.
Balaj është gjithmonë i markuar fort, por ai i ndihmon të tjerët duke hapur hapësira. Nuk është 20-vjeçar, e di çfarë kërkohet nga ai, nga ekipi dhe nga qyteti, prandaj meriton vetëm fjalë të mira si kapiten.
Dua të përgëzoj edhe Vorën për stadiumin dhe organizimin. Është hera e parë që vij këtu dhe kam gjetur ambient shumë të mirë, një ndeshje që ishte kënaqësi ta luaje”, tha Martini.