Superduele në Kupën e Mbretit/ Atletico-Barcelona dhe derbi bask në gjysmëfinale

Janë zbuluar zyrtarisht çiftet gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, pas shortit të hedhur këtë të premte në Ciudad del Futbol në Las Rozas (Madrid).

Shorti ka dhuruar dy përballje spektakolare, që premtojnë emocione të forta deri në fund.

Në njërën anë, Atletico e Madridit do të përballet me Barcelonën, në një superduel mes dy prej skuadrave më të forta të futbollit spanjoll.

Ndërkohë, gjysmëfinalja tjetër do të jetë një derbi i zjarrtë bask, mes Athletic Bilbao dhe Real Sociedadit.

Ndeshjet e para gjysmëfinale do të zhvillohen në mes të muajit shkurt, konkretisht nga e marta, 10 shkurt, deri të enjten, 12 shkurt, ndërsa oraret zyrtare pritet të konfirmohen në ditët në vijim nga organizatorët.

Takimet e kthimit janë planifikuar për fillimin e muajit mars, nga 3 deri më 5 mars, ku do të përcaktohen edhe dy finalistët që do të luftojnë për trofeun e Kupës së Mbretit.

Një fazë gjysmëfinale që pritet të sjellë spektakël, rivalitet dhe futboll të nivelit të lartë.