Maliq/ Rruga e fshatit Senisht e bllokuar prej muajsh, banorët të izoluar

Rruga që lidh fshatin Senisht në bashkinë Maliq vijon të jetë e bllokuar prej disa muajsh si pasojë e reshjeve të shumta të shiut, duke lënë të izoluar banorët e zonës. Segmenti rrugor ka pësuar çarje të thella dhe rrëshqitje dherash, duke u bërë i pakalueshëm për automjetet dhe duke paraqitur rrezik të vazhdueshëm për këmbësorët.

Në fshatin Senisht jetojnë 8 familje, të cilat aktualisht janë të detyruara të lëvizin vetëm në këmbë ose me kafshë, pasi asnjë mjet nuk mund të kalojë. Banorët tregojnë se situata është përkeqësuar nga dita në ditë, ndërsa rënia e gurëve dhe dherave e bën rrugën të pasigurt. Sipas tyre, pavarësisht kërkesave të përsëritura drejtuar institucioneve vendore, deri më tani nuk ka pasur asnjë ndërhyrje konkrete.

Izolimi ka sjellë vështirësi serioze për sigurimin e ushqimeve, lëvizjen e përditshme dhe aksesin në shërbimet shëndetësore, duke e bërë situatën edhe më alarmante për familjet e zonës.

Nga ana tjetër, bashkia Maliq bën me dije se rruga ka pësuar rrëshqitje në një segment prej rreth 80 metrash. Sipas autoriteteve lokale, ndërhyrja do të kryhet sapo të përmirësohen kushtet atmosferike, në mënyrë që të mundësohet futja e mjeteve të rënda dhe hapja e një rruge alternative. Deri atëherë, banorët e fshatit Senisht vijojnë të jetojnë të izoluar, përballë rrezikut dhe vështirësive të përditshme.