Meloni takon zëvendëspresidentin amerikan JD Vance në Milano: Fokus te forcimi i bashkëpunimit dypalësh

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u takua sot, më 6 shkurt, me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara, JD Vance, në prefekturën e Milanos. Në takim mori pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Samiti u zhvillua në të njëjtën ditë me ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026. Pak më herët, Meloni kishte zhvilluar gjithashtu një takim me emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani.

“Jam këtu për ceremoninë inaugurale të Olimpiadës, por kjo është edhe një mundësi për të diskutuar marrëdhëniet tona dypalëshe”, deklaroi kryeministrja Meloni. Ajo theksoi se Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë prej kohësh marrëdhënie shumë të rëndësishme dhe se aktualisht po punohet në disa çështje dypalëshe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, si edhe në dosje të ndryshme ndërkombëtare që mbeten të hapura.

“U takuam për herë të fundit me zëvendëspresidentin në Romë, me rastin e inaugurimit të pontifikatit të Papa Leoni, dhe sot takohemi sërish për ceremoninë hapëse të Olimpiadës”, shtoi Meloni. “Janë dy ngjarje që pasqyrojnë një sistem vlerash që bashkon Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, që mban të bashkuar Perëndimin dhe që përbën bazën e bashkëpunimit tonë, miqësisë sonë dhe të ardhmes që duam të ndërtojmë së bashku.”/ Alba Kepi/