'Qeveria Rama fajtor për eksodin e popullsisë', Xhaferri: Në 10 shkurt në shesh, shqiptarët nuk mund të heshtin më
Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka shpallur sot mobilizimin qytetar për 10 shkurt, duke u bërë thirrje shqiptarëve të bashkohen në shesh për të protestuar kundër eksodit masiv të rinisë dhe profesionistëve të talentuar, fenomen që sipas tij është pasojë direkte e politikave të qeverisë Rama.
Në një postim në rrjetet sociale, Xhaferri thekson se nën qeverisjen e Ramës Shqipëria po humbet çdo vit mijëra të rinj të kualifikuar, ndërsa vendi po përballet me tkurrjen më të madhe demografike në Europë për grupmoshën 15–29 vjeç.
LEXO EDHE: 'Talentet po i merr Europa'/ Qindra të rinj të kualifikuar largohen drejt BE-së
Ai akuzon qeverinë për kriminalizimin e ekonomisë, korrupsion dhe mungesë meritokracie, duke argumentuar se këto janë arsyet kryesore që e detyrojnë rininë të largohet nga vendi.
Xhaferri fton qytetarët që më 10 shkurt të jenë në shesh për të kërkuar llogari dhe për të mbrojtur të ardhmen e rinisë shqiptare, duke e konsideruar këtë një protestë për çdo student dhe profesionist të ri që braktis vendin për shkak të politikanëve që, sipas tij, nuk iu japin mundësi për një jetë dinjitoze në Shqipëri.
Postimi i plotë:
Në 10 shkurt në shesh kundër arkitektit të Agjencisë së Eksodit të Rinisë!
Nën qeverisjen e Edi Ramës nga Shqipëria nuk është larguar vetëm rinia dhe krahu i punës, por edhe truri.
Evropa, gjatë 4 viteve të fundit, gjithnjë e më shumë ka akorduar karta blu për shqiptarët, të cilat janë leje pune dhe qëndrimi për persona me kualifikime të larta nga vendet joanëtare të Bashkimit Europian (BE).
Nga viti 2014 janë dhënë gjithsej 5 405 karta blu për shtetasit shqiptarë, teksa rritja ka qenë e fortë që nga viti 2019, kur nisi edhe një cikël masiv emigracioni, por këtë herë i personave me kualifikim të lartë.
Nga ana tjetër, Eurostat në çdo raport vijon të ekspozojë plagën e eksodit.
Në janar të vitit 2025, Shqipëria kishte 405 832 të rinj të grupmoshës 15–29 vjeç, me një tkurrje prej 18 300 brenda një viti, duke pësuar një rënie prej -4,32%.
Të dhënat e Eurostat mbi ecurinë e popullsisë së moshës 15–29 vjeç në Europë tregojnë një panoramë shqetësuese për Shqipërinë nën qeverisjen e Edi Ramës, e cila renditet e para për tkurrjen më të lartë demografike të kësaj grupmoshe.
Ky eksod biblik prej 18 333 të rinjsh brenda një viti do të thotë se Shqipëria po humbet pothuajse një qytet të tërë, të përbërë vetëm nga studentë dhe profesionistë të rinj, çdo vit.
Kjo është dramatike për ekonominë dhe shoqërinë, teksa në themel të këtij eksodi dramatik qëndrojnë kriminalizimi i ekonomisë shqiptare, korrupsioni dhe mungesa e meritokracisë.
Të rinjtë ikin sepse nuk blejnë dot shtëpinë e parë, ikin sepse vendet në administratë janë privilegj i patronazhistëve dhe ikin sepse ky vend është kthyer në një parajsë të krimit dhe degjenerimit.
Më 10 shkurt do të jemi në shesh për të rinjtë shqiptarë që ky njeri i detyroi të braktisin vendin.