Berisha shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta e Ahmet Omit: Humbja e një demokrati të vendosur!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur sot ngushëllimet më të thella pas ndarjes nga jeta të Ahmet Omit, një personalitet të shquar të Shkodrës dhe një demokrat të vendosur.
Në postimin e tij, Berisha e kujton Omin si një qytetar fisnik, shërbëtor të përkushtuar të qytetarëve dhe një drejtues të ndershëm brenda institucioneve lokale dhe kombëtare gjatë periudhës së qeverisjes së PD.
Lideri i opozitës nënvizon se humbja e tij është dhimbje për familjen, qytetin dhe Partinë Demokratike, duke e përshkruar kontributin e Ahmet Omit si të çmuar dhe të paharrueshëm.
Berisha i lutet Zotit që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar dhe thekson se Ahmeti do të kujtohet gjithmonë me krenari nga miqtë, të afërmit dhe qytetarët e Shkodrës.
Postimi i plotë:
Nderim për Ahmet Omin.
Të dashur miq, pas një beteje stoike me sëmundjen, Ahmet Omi mbylli sytë parakohe përgjithmonë.
Me ndarjen e tij nga jeta, familja e nderuar Omi humbi birin, bashkëshortin dhe prindin shembullor; qyteti i Shkodrës qytetarin fisnik, një personalitet të shquar, qeveritarin e saj vendor që iu shërbeu me përkushtim dhe dinjitet qytetarëve të saj.
Kurse Partia Demokratike humbi demokratin e vendosur dhe ish-drejtuesin e përkushtuar; shteti, ish-drejtuesin e aftë dhe të ndershëm të agjencive lokale dhe kombëtare gjatë qeverisjes së PD.
Duke shprehur nderimin tim më të madh dhe mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin që kemi pasur me Ahmet Omin dhe kontributin e tij të çmuar, ndaj dhimbjen dhe shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij, miqve e të afërmve të tij, që do ta kujtojnë Ahmetin gjithmonë me krenari, dhe i lutem Zotit që shpirti i mirë i tij të gjejë paqen e merituar.
Amin. #sb