Formula 1/ Hamilton trazon Ferrarin: ‘Revolucion’ para sezonit 2026
Luis Hamilton ka nisur një revolucion të plotë personal dhe teknik përpara Botërorit 2026 në Formula 1, sezon që pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e tij me Ferrarin.
Në moshën 41-vjeçare, kampioni britanik e di se nuk ka më hapësirë për gabime.
Sezoni i parë me skuderinë italiane ishte zhgënjyes: asnjë podium, humbje e qartë përballë Sharl Lëklerkut dhe vetëm fitorja në Sprintin e Kinës si moment pozitiv. Për këtë arsye, Hamilton ka vendosur të ndryshojë rrënjësisht qasjen.
Britaniku është ndarë nga inxhinieri i pistës Riçardo Adami, ndërsa gjatë testeve në Barcelonë ka punuar me Brajan Bozin. Ferrari pritet t’i bashkojë ekipit të tij edhe ish-inxhinierin e MekLaren, Cedrik Mishel-Groszho, për sezonin 2026.
Ndryshimet vazhdojnë edhe jashtë pistës. Hamilton është pranë ndarjes nga përgjegjësja e shtypit, Gabriela Kuaku Jeboah, si dhe ka mbyllur bashkëpunimin me menaxherin historik Mark Hajns. Ky i fundit ka marrë një rol të ri te Kadillak.
I vetmi element që mbetet i pandryshuar është fizioterapistja Angela Kulum, pjesë e stafit të tij prej vitesh.
Synimi është i qartë: të rikthejë Hamiltonin në versionin e tij më konkurrues, në timonin e SF-26.
“Makina duket më e besueshme se një vit më parë. Kemi arsye për optimizëm”, ka deklaruar britaniku.