Raporti i FIFA-s/ Merkato dimri rekord në Shqipëri, dominim i lojtarëve pa kontratë
Merkato e dimrit në futbollin shqiptar ka vendosur rekorde të reja, duke konfirmuar një trend gjithnjë e më të theksuar të afrimeve nga jashtë.
Këtë e vërteton raporti më i fundit i FIFA-s, i cili ka analizuar të gjitha transferimet ndërkombëtare të realizuara nga klubet shqiptare gjatë dritares së janarit 2026.
Rekord afrimesh dhe vend i lartë në Europë
Sipas shifrave zyrtare, Shqipëria renditet e 11-ta në Europë për numrin e transferimeve në hyrje, me plot 78 afrime ndërkombëtare, një shifër që përfaqëson rekordin absolut për merkaton dimërore në vendin tonë. Nga këto, 2 transferime janë ende në pritje të lejekalimit përfundimtar.
Për krahasim, në vitin 2022 u regjistruan 68 afrime, në 2023 ishin 62, ndërsa në 2024 dhe 2025 shifrat ishin përkatësisht 67 dhe 53.
Kësisoj, janari i vitit 2026 shënon kulmin e merkatos dimërore shqiptare për nga fluksi i lojtarëve.
Sa i përket daljeve, janë regjistruar 26 transferime ndërkombëtare, me 2 në pritje, duke shënuar nivelin më të ulët që nga viti 2022.
Rekordi negativ në dalje i përkiste vitit të kaluar, me 42 largime.
Fitime pa shpenzime dhe rritje e moshës mesatare
Raporti i FIFA-s thekson se klubet shqiptare nuk kanë shpenzuar asnjë dollar për afrimet, pasi të gjitha janë realizuar pa tarifa transferimi.
Megjithatë, ato kanë përfituar financiarisht, duke arkëtuar 383 mijë dollarë nga shitja e lojtarëve jashtë vendit.
Mosha mesatare e futbollistëve të ardhur nga jashtë është 24,1 vjeç, pak më e lartë se një vit më parë, ndërsa mesatarja globale për janarin 2026 sipas FIFA-s është 24,9 vjeç.
Dominim i lojtarëve pa kontratë
Pjesa më domethënëse e raportit lidhet me llojin e kontratave. Plot 57 nga 78 afrime janë futbollistë që ishin pa kontratë, ndërsa vetëm 15 transferime kanë qenë përfundimtare, 5 huazime dhe 1 kthim nga huazimi. Kjo do të thotë se rreth 73% e afrimeve në Shqipëri janë lojtarë të lirë, krahasuar me 59% mesataren botërore.
Edhe në dalje dominojnë lojtarët pa kontratë, me 22 raste, ndërsa vetëm 2 kanë qenë transferime përfundimtare dhe 2 huazime.