Dy të vrarë në operacionin amerikan kundër trafikut të drogës në Paqësor
Ushtria amerikane njoftoi të enjten se ka vrarë dy persona të dyshuar si trafikantë droge gjatë një sulmi ndaj një mjeti lundrues në Paqësorin Lindor, duke e çuar në të paktën 128 numrin e viktimave nga fushata e Washingtonit kundër trafikut të drogës.
Sipas Komandës Jugore të SHBA-së (US Southern Command), informacionet e inteligjencës konfirmuan se mjeti lundrues po qarkullonte në një zonë të njohur për trafik narkotikësh në Paqësorin Lindor dhe ishte i përfshirë në aktivitete të tilla. Në një postim në rrjetin social X, komanda theksoi se gjatë operacionit nuk pati asnjë të lënduar nga radhët e forcave ushtarake amerikane.
Administrata e presidentit Donald Trump nisi në fillim të shtatorit goditjet ndaj mjeteve të dyshuara për kontrabandë, duke deklaruar se ishte në një “luftë” kundër të ashtuquajturve “narko-terroristë” që veprojnë nga Venezuela. Megjithatë, autoritetet amerikane nuk kanë paraqitur prova përfundimtare që këto mjete lundruese janë të përfshira në trafik droge, çka ka nxitur debate të forta mbi ligjshmërinë e këtyre operacioneve. Fillimisht të përqendruara në Karaibe, operacionet janë zgjeruar më pas edhe në Paqësor.
Në muajin janar, ushtria amerikane kreu një tjetër sulm në Paqësorin Lindor, ku u vranë dy persona të tjerë të dyshuar si trafikantë droge.
Javën e kaluar, familjarët e dy shtetasve nga Trinidadi, të vrarë vitin e kaluar gjatë një sulmi ndaj një mjeti lundrues që ushtria amerikane pretendonte se transportonte drogë, paraqitën një padi për vdekje të paligjshme ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Kjo është çështja e parë e këtij lloji e ngritur kundër administratës Trump në lidhje me sulmet raketore të kryera në Karaibe dhe në Paqësorin Lindor.