'Shëndetësia falas' vetëm slogan'/ PL: 84% e shqiptarëve paguajnë nga xhepi, lista e barnave të rimbursueshme e pamjaftueshme

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, deklaroi se sistemi shëndetësor në Shqipëri po përballet me një krizë të thellë funksionimi dhe financimi, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin dhe sigurinë ekonomike të qytetarëve.

Në një deklaratë për mediat, Haxhiu u shpreh se shëndetësia shqiptare është shndërruar në “viktimë të propagandës dhe abuzimit qeveritar”, ndërsa sipas saj, mungesat në shërbime, problemet serioze të funksionimit dhe nënfinancimi kronik po e çojnë sektorin drejt kolapsit.

Duke iu referuar anketës “Securimetri 2025” të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ajo theksoi se Shqipëria renditet ndër vendet me barrën më të lartë të shpenzimeve direkte për shëndetin në rajon. Sipas të dhënave të cituara, mbi 84% e shqiptarëve paguajnë shuma të konsiderueshme nga xhepi për të përfituar shërbime shëndetësore, pavarësisht se kontribuojnë përmes taksave dhe sigurimeve.

“Rreth 57% e familjeve shqiptare deklarojnë se shpenzojnë nga 1% deri në 10% të të ardhurave të tyre për vizita dhe barna, përqindja më e lartë në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa 27% e familjeve shpenzojnë mbi 10% të të ardhurave, një prag që Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron nivel varfërimi,” u shpreh Haxhiu.

Ajo shtoi se vetëm 9% e familjeve arrijnë të mbajnë shpenzimet shëndetësore nën 1% të të ardhurave, duke e cilësuar këtë si tregues të qartë të dështimit të modelit aktual të shëndetësisë publike.

Sipas saj, lista e barnave të rimbursueshme mbetet e kufizuar, sistemi parësor është i dobët dhe investimet publike nuk përputhen me nevojat reale të qytetarëve. Haxhiu akuzoi gjithashtu se fondet publike janë kanalizuar drejt kontratave dhe skemave që, sipas saj, nuk kanë sjellë përmirësim real për pacientët.

Në përfundim, përfaqësuesja e Partisë së Lirisë theksoi se shëndetësia është një e drejtë themelore dhe jo luks, duke kërkuar reforma të thella që vendosin shëndetin publik në qendër të politikave shtetërore.

“Sot Shqipëria ndodhet përballë një zgjedhjeje: ose të vazhdojë me një model që e varfëron qytetarin, ose të ndërmarrë reforma që garantojnë një sistem shëndetësor që i mbron qytetarët,” përfundoi ajo.

Deklarat e plotë:

Shëndetësia shqiptare është shndërruar në viktimë të propagandës dhe abuzimit qeveritar, duke u degraduar çdo ditë e më shumë dhe duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Sot sistemi shëndetësor përballet me mungesa të rënda shërbimesh, me probleme serioze funksionimi dhe me një nënfinancim kronik që po e çon sektorin drejt kolapsit .Shifrat e fundit mbi shpenzimet shëndetësore në Shqipëri janë një alarm serioz kombëtar dhe një dëshmi e qartë e dështimit të modelit aktual të shëndetësisë publike.

Sipas anketës “Securimetri 2025” të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Shqipëria renditet ndër vendet me barrën më të lartë të shpenzimeve direkte për shëndetin. Kjo do të thotë se qytetarët shqiptarë, ndonëse paguajnë taksa dhe sigurime shëndetësore, detyrohen të fusin dorën në xhep për të marrë shërbime që në çdo vend normal konsiderohen detyrim i shtetit.
Në kushtet kur pagat mbeten ndër më të ulëtat në Europë dhe inflacioni ka goditur fort buxhetet familjare, fakti që mbi 84% e shqiptarëve paguajnë shuma të ndjeshme nga xhepi për shëndetin është një kërcënim serioz për sigurinë sociale dhe ekonomike të vendit.

Rreth 57% e familjeve shqiptare deklarojnë se shpenzojnë nga 1% deri në 10% të të ardhurave të tyre për vizita mjekësore dhe barna. Kjo është përqindja më e lartë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Pra, shumica dërrmuese e shqiptarëve përballen me një faturë shëndetësore të përhershme, sa herë që prekin derën e një spitali apo qendre shëndetësore.

Ndërkohë, në vende si Bosnja apo Serbia, një pjesë më e madhe e qytetarëve mbulohen nga skemat publike me kosto minimale. Në Shqipëri, sistemi është shndërruar në një mekanizëm që transferon barrën financiare nga shteti te qytetari, duke e kthyer sëmundjen në një krizë ekonomike për familjet shqiptare.
Edhe më alarmant është fakti se 27% e familjeve shqiptare detyrohen të shpenzojnë mbi 10% të të ardhurave për shëndetin. Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron këtë prag si nivel varfërimi. Kjo do të thotë se në Shqipëri të sëmuresh nuk është vetëm fatkeqësi shëndetësore, por edhe rrezik real për të rënë në varfëri.
Treguesi më domethënës i dështimit të propagandës qeveritare është fakti se vetëm 9% e familjeve shqiptare arrijnë të mbajnë shpenzimet shëndetësore nën 1% të të ardhurave. Ky është niveli më i ulët në të gjithë Rajonin. Kjo do të thotë se shëndetësia “falas” ekziston vetëm në sloganet politike, jo në jetën reale të qytetarëve.

Lista e barnave të rimbursueshme mbetet e kufizuar. Sistemi parësor është i dobët dhe shpeshherë i paaftë për të garantuar shërbim cilësor. Investimet publike nuk reflektojnë nevojat reale të qytetarëve. Ndërkohë fondet publike shpesh janë kanalizuar drejt kontratave dhe skemave që nuk kanë përmirësuar jetën e pacientëve.
Shëndetësia nuk mund të trajtohet si luks dhe as si privilegj për ata që kanë mundësi financiare. Ajo është një e drejtë themelore që shteti ka detyrimin ta garantojë.
Sot Shqipëria ndodhet përballë një zgjedhjeje të madhe: ose të vazhdojë me një model që e varfëron qytetarin dhe e dobëson shoqërinë, ose të ndërmarrë reforma të thella që vendosin shëndetin publik në qendër të politikave shtetërore. 
Qytetarët shqiptarë meritojnë një sistem shëndetësor që i mbron, jo një sistem që i detyron të paguajnë për të mbijetuar.