Tragjedia në Itali/ Kepi: Një orë vonesë në ndërhyrje, një gabim në adresë vonoi shërbimet e urgjencës
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga tragjedia e rëndë në Itali, ku një familje shqiptare humbi jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit. Sipas informacioneve të fundit, një gabim fatal në adresën e dhënë gjatë telefonatës së alarmit ka shkaktuar një vonesë prej më shumë se një ore të ndërhyrjes së forcave të emergjencës.
Gazetarja Alba Kepi, në një raportim nga Italia për Syri TV, bëri të ditur se telefonata drejt numrit 112 është kryer rreth orës 20:30 nga Hajdar Çela. Megjithatë, patrulla e policisë ka mbërritur në adresën e saktë vetëm pas orës 21:30.
Sipas raportimit, gjatë telefonatës është dhënë gabimisht numri i banesës 186, ndërkohë që adresa e saktë ishte numri 168. Ky pasaktësi ka bërë që shërbimet e emergjencës të humbnin kohë të çmuar në identifikimin e vendndodhjes së saktë.
Dyshohet se e para që ka shfaqur shenja helmimi ka qenë vajza 15-vjeçare e familjes, ndërsa më pas gjendja është përkeqësuar edhe për pjesëtarët e tjerë. Dy prej tyre janë gjetur të shtrirë në dysheme në momentin kur është arritur të hapet dera e banesës.
Situata është komplikuar më tej nga fakti se rrjedhja e gazit ka vijuar edhe gjatë kohës së vonesës. Edhe pse ambulanca ka mbërritur më shpejt se zjarrfikësit, për shkak të protokolleve të sigurisë zona është dashur të vendosej fillimisht nën kontroll për të shmangur rrezikun e një shpërthimi. Kjo ka bërë që ndërhyrja e plotë mjekësore të shtyhej deri në sigurimin e ambientit.
Ndërkohë, Prokuroria ka hapur një procedim penal për “vrasje ndaj personave të panjohur”, një procedurë standarde që lejon hetimin e plotë të ngjarjes në të gjitha drejtimet.
Autoritetet po hetojnë funksionimin e impiantit të ngrohjes dhe të sistemit të kaldajës. Po verifikohet nëse instalimi është kryer sipas normativave ligjore italiane dhe evropiane, nëse ka pasur certifikim dhe regjistrim të rregullt, si dhe nëse ka përgjegjësi nga tekniku apo kompania që ka kryer montimin.
Një tjetër zhvillim i ditës së sotme është se dy efektivët e policisë, të cilët u shtruan në spitalin e Pizës pasi thithën monoksid karboni gjatë operacionit të shpëtimit, kanë dalë nga spitali dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërsa vijon të jetë nën mbikëqyrje mjekësore vëllai i kryefamiljarit, i cili përveç helmimit nga gazi, është rrëzuar dhe ka pësuar dëmtim në kokë pasi humbi ndjenjat gjatë përpjekjes për të ndihmuar familjarët.
Kepi:
Informacionet me të cilët po analizohet në këto orë të para të mëngjesit është fakti se nga ora 8:30 që pak a shumë ka nisur telefonata e Hajdar Çelës ndaj numrit 112 të forcave të karabinjerisë së zonës, deri mbas orës 9:30 të mbrëmjes kur ka ardhur dhe patrulla e policisë, ka kaluar mbi një orë kohë. Pra, ai numër i gabuar që Hajdari ka thënë në telefonatën alarmuese që ka bërë në policinë e zonës se banesa jonë është në numrin 186, kur në të vërtetë ishte në numrin 168, ka bërë që të humbej një orë kohë deri në gjetjen e adresës së saktë të asaj çka po ndodhte. Siç e përcollët dhe ju në prezantim, thuhet se telefonata e nisur nga Hajdari, ka qenë fillimisht preokupimi se e para që ka manifestuar shenjat e helmimit nga gazi i keq ka qenë, vajza 15 vjeçare familjes Kola, dhe më pas kanë qenë familjarët e tjerë që dy prej tyre janë gjetur dhe në dysheme në momentin kur është mundësuar hapja e derës së shtëpisë.
Pra kemi informacionin e e asaj çka ka komplikuar, ndoshta mund të ishte një mundësi për të shpëtuar anëtarët e kësaj familje nga kjo tragjedi, pasi nga ora 8:30 e telefonatës deri mbas orës 9:30 ku kanë mbërritur patrulla e policisë dhe ka gjetur adresën e saktë, kishte kaluar rreth një orë kohë. Po ashtu ka komplikuar situatën se rrjedhja e gazit të keq ka vijuar dhe në atë orë që kemi këtë vonesë dhe edhe pse forcat e emergjencës së ndihmës së shpejtë kanë mbërritur më më shpejt se sa reparti i zjarrfikëseve, për shkak të protokollit të sigurisë që kanë, zona duhet të ishte vënë nën siguri dhe për fqinjat dhe për banorët, gjë që ka bërë dhe që ndërhyrja e repartit të ndihmës së shpejtë të bëhet në një moment të dytë pasi të sigurohet se nuk do të kishte një shpërthim ndoshta nga gazi i keq. Pra ne, përveç faktit të kësaj telefonate, tashmë sot është konkretizuar ajo që edhe ne biseduam dje në mëngjes, faktin se është hapur procesi hetimor me akuzën për vrasje ndaj personave të panjohur.
Është një procedurë tipike ëh, që bëhet në këto raste, gjë që i lejon autoritetet të hetojnë 360° mbi çka ka ndodhur. Përtej kësaj telefonate, përtej vonesës e përtej asaj çka mund të shpëtohej o jo, duhet kuptuar se çfarë ka ndodhur me atë impiant të ngrohës, çfarë ka ndodhur me sistemin e kalldajës, nëse kjo ky sistem është montuar me procedurën apo protokollin që parashikon ligji italian, përmes një çertifikimi dhe një regjistrimi kombëtar në kushte dhe normativat që lejon ligji italian dhe normativat evropiane, dhe nëse është bërë ky regjistrim dhe ky çertifikim, kush ka gabuar, nëse ka gabuar eksperti apo kompania që ka montuar këtë kalldajë.
Pra janë pikëpyetje të mëdha të cilët kanë rëndesën e një ngjarje kaq tragjike, pasi kemi një familje të tërë të shuar nga kjo tragjedi. Dhe tjetër e re e ditës së sotme është se dy punonjësit e policisë, të cilët kanë qenë të shtruar në spitalin e Pizës për shkak se kanë thithur dhe ata gaz monoksidin e karbonit gjatë operacionit të shpëtimit të familjes, kanë dalë nga spitali, janë në gjendje të mirë, pra nuk janë rrezik për jetën dhe vijon të jetë në mbikqyrje, padyshim, vëllai i kryefamiljarit, xhaxhai i familjes, i cili ka qenë ai që jo vetëm ka thithur gazin e keq, por ka qenë nga të parët që ka dhënë ndihmën konkrete për të marrë në krah dhe ndihmuar familjarët e tij që ishin ishin keq, por edhe sepse gjatë humbjes së ndjenjave për shkak të thithjes së gazit, është rrëzuar në dysheme dhe ka bërë dhe përplasje koke.