Mirakaj: Ngjarja e 4 Shkurtit ishte konflikt shqiptar, jo masakër gjermane
Një dëshmi e re hedh dritë mbi një prej ngjarjeve më të dhimbshme të historisë, duke sjellë një këndvështrim të ndryshëm mbi autorësinë e një masakre të bujshme gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Simon Mirakaj, ish i përndjekur politik dhe ish anëtari Autoritetit të Dosjeve, nga studioja e 'Kafe Shqeto' tha se ngjarja nuk ishte vepër e forcave gjermane, por një akt tragjik i një konflikti të thellë mes vetë shqiptarëve.
Mirakaj pohon se gjermanët nuk kanë pasur asnjë rol në masakër. Sipas tij, ngjarjet rrjedhin nga veprimtaria e grupeve atentatore të krijuara nga Partia Komuniste në atë kohë.
Një nga shkëndijat e konfliktit, sipas Mirakajt ishte vrasja e Kadri Cakranit, i cili përshkruhet si "krahu ushtarak i Ballit Kombëtar për Jugun". Atentati ndaj tij ndodhi në hyrje të një hoteli. Në të njëjtin kontekst hakmarrjesh, u vra edhe nipi i Xhafer Devës.
Megjithatë, Mirakaj thekson se këto akte nuk e justifikojnë në asnjë mënyrë hakmarrjen masive që pasoi, e cila mori jetën e një numri të madh njerëzish.
Një detaj tjetër misterioz i përmendur është ekzistenca e një liste me emrat e viktimave, e cila nuk u bë kurrë publike. Për të zbardhur plotësisht të vërtetën, ai sugjeron se duhet të ketë dokumente zyrtare në Arkivin e Shtetit, duke qenë se bëhet fjalë për një ngjarje me përmasa kaq të rënda.
Në fund, diskutimi konvergon drejt një ideje të përbashkët: nevoja për një pajtim kombëtar. Siç u theksua, për të ecur përpara, shoqëria shqiptare duhet të gjejë një mënyrë për të arritur një paqe sociale, duke i lënë pas ndasitë e dhimbshme të historisë.
Deklarata e plotë:
"Hakmarrjet nuk janë të mira, nuk sjellin qetësi. Ne kemi nevojë për një pajtim kombëtar, si me thënë.
Pavarësisht, ajo ka ndodhur në kohë lufte, me sa di unë, dhe ka ndodhur mes shqiptarëve. Gjermanët nuk kanë gisht në atë masakër.
Unë kam lexuar diçka nga politologu Nexhmedin Spahiu, po kam dëgjuar edhe rrëfimin e avokat Cakranit.
Partia Komuniste kishte krijuar atë, grupe atentatore që bënin dhe Kadri Cakrani, duke hyrë në hotel, i është bërë atentat.
Po me sa di unë, kam qenë. i vrarë në shokun e tij. Ai ishte, krahu ushtarak i Ballit Kombëtar për Jugun.
Po aty u vra edhe nipi i Xhafer Devës. Por kjo nuk e justifikon atë hakmarrjen me një numër aq të madh njerëzish. Megjithatë, ajo lista nuk u bë e ditur asnjëherë.
Megjithëse ishte një masakër, ashtu siç thuhet, ajo ngjarje duhet të ketë diçka në, në arkivat e, se është një ngjarje e rëndë.
Duhet të ketë ndonjë dokument në arkivin e shtetit, them unë".