Atletico Madridi spektakolar në ‘Benito Villamarín’, shpartallon Betisin dhe siguron gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit
Atletico Madridi ka dhënë një shfaqje force në transfertë, duke mposhtur thellë 5-0 Betisin dhe duke siguruar me autoritet kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit. Skuadra e Diego Simeones dominoi takimin që nga minutat e para, duke mos i lënë hapësirë reagimi ekipit vendas.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, ku Betisi tentoi të rrezikonte që në minutën e 5-të me Abde Ezzalzouli, por gjuajtja e tij kaloi shumë pranë shtyllës. Megjithatë, Atletico u tregua më cinike dhe zhbllokoi rezultatin në minutën e 12-të. David Hancko shfrytëzoi në mënyrë perfekte një goditje nga këndi, duke realizuar me kokë nga afërsia për 0-1.
Presioni i madrilenëve vazhdoi dhe në minutën e 30-të erdhi edhe goli i dytë. Giuliano Simeone përfitoi nga një top brenda zonës dhe me një goditje të saktë tokazi dyfishoi epërsinë. Vetëm shtatë minuta më vonë, Ademola Lookman u shkëput bukur në mbrojtjen e Betisit dhe me një finalizim preciz çoi shifrat në 0-3, duke mbyllur praktikisht ndeshjen që në pjesën e parë.
Në fraksionin e dytë, Betisi provoi të ndryshonte rrjedhën e takimit me disa zëvendësime, por Atletico mbeti e rrezikshme. Edhe pse Simeone u detyrua të bënte një zëvendësim të detyruar pas dëmtimit të Pablo Barrios, skuadra e tij nuk e humbi kontrollin. Në minutën e 62-të, Lookman asistoi bukur për Antoine Griezmann, i cili me një goditje të menjëhershme nga jashtë zone thelloi rezultatin në 0-4. Në minutën e 83-të vjen goli i radhës nga Almada.
Një fitore bindëse që konfirmon formën e shkëlqyer të Atleticos dhe ambiciet e saj serioze për trofeun e Kupës së Mbretit.