Detaje të reja nga tragjedia në Itali, defekti i kaldajës së re i mori jetën familjes Kola

Nga Alba Kepi

Janë zbardhur detaje të reja nga tragjedia e rendë ku mbrëmjen e djeshme humbën jetën 4 anëtarët e familjes Kola në Porcari, Itali.

Nga të dhënat se ka qenë një nga pjesëtarët e familjes Kola ai i cili ka arritur të telefonojë 112 numrin e emergjencës së karabinierëve për të kërkuar ndihmë, pak para se të humbte jetën, ndërsa kaldaja e re e shtëpisë mësohet se ka shkaktuar tragjedinë.

Shkak i tragjedisë ka qenë kaldaja e re, ende nën garanci, që shkaktoi daljen e monoksidit të karbonit, një gaz i padukshëm dhe shumë vdekjeprurës. Autoritetet kanë sekuestruar shtëpinë dhe impiantin e ngrohjes, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar shkakun e saktë dhe për të kontrolluar edhe tubacionet e gazrave. Katastrofa ndodhi rreth orës 22:00 të mërkurën, më 4 shkurt, në lokalitetin Rughi, në Porcari, Itali. Tragjedia mori jetën e katër personave të familjes shqiptare: babai 48 vjeç, nëna 43 vjeç dhe dy fëmijë, një djalë 22 vjeç dhe një vajzë 15 vjeç.

Një person i pestë, i afërm i familjes, u helmua rëndë duke tentuar të ndihmonte dhe u shtrua në spital në gjendje kritike. Dy karabinierë që arritën në vendngjarje u helmuan lehtë, por nuk ishin në rrezik për jetën.

Kryetari i komunës, Leonardo Fornaciari, shprehu dhimbjen dhe tronditjen e tij: ‘Të gjithë jemi të shokuar dhe të trishtuar. Komuniteti ynë i dërgon një përqafim të madh miqve dhe të afërmve të familjes Kola. Qoftë i qetë shpirti i tyre.’