Zyrtare/ Bayerni huazon mbrojtësin e djathtë te Galatasaray
Bayerni i Mynihut dhe Galatasaray kanë zyrtarizuar huazimin e Sacha Boey. Mbrojtësi i djathtë francez rikthehet te gjiganti i Stambollit në formë huazimi deri në fund të sezonit aktual, duke u bashkuar sërish me një klub ku kishte lënë gjurmë të rëndësishme më herët.
Futbollisti 25-vjeçar kishte veshur fanellën e Galatasaray-t nga viti 2021 deri në vitin 2024, përpara se të transferohej te Bayerni në merkaton e dimrit të vitit 2024 për rreth 35 milionë euro. Megjithatë, aventura e tij në Bundesligë nuk shkoi sipas pritshmërive, pasi Boey nuk arriti të fitonte një vend të qëndrueshëm si titullar dhe u aktivizua kryesisht nga stoli.
Sipas marrëveshjes së arritur mes klubeve, Galatasaray do t’i paguajë Bayern Munich 500 mijë euro për huazimin, ndërsa është parashikuar edhe një opsion blerjeje prej rreth 15 milionë eurosh. Klubi turk do të mbulojë gjithashtu pagën e plotë të lojtarit deri në fund të sezonit, e cila kap vlerën e 1.75 milionë eurove neto.
Gjatë periudhës së tij te Bayern, Sacha Boey zhvilloi 38 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar një gol dhe duke dhuruar pesë asistime. Që nga fillimi i muajit nëntor, ai kishte luajtur vetëm pesë minuta, për shkak të një problemi gastrointestinal që e mbajti larg fushave.
Drejtori sportiv i Bayern Munich, Max Eberl, u shpreh optimist për këtë lëvizje: “Sacha e njeh shumë mirë Galatasaray-n dhe nuk do të ketë nevojë për shumë kohë për t’u përshtatur sërish. Ai do të ketë mundësinë të luajë në nivele të larta, si në play-off-in e UEFA Champions League kundër Juventusit dhe në garën për titullin në Superligën turke, çka do të jetë shumë e rëndësishme për zhvillimin e tij.”