Presidenti ose kriza: Paralajmërimi i fortë i Dorajet Imerit për skenarin më të keq

Kosova po hyn në ditët më vendimtare politike pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Profesori Dorajet Imeri paralajmëron krizë të thellë institucionale, zgjedhje të reja dhe bllokadë totale të shtetit nëse dështon zgjedhja e presidentit, duke kritikuar ashpër edhe mandatin e parë të Vjosa Osmanit, shkruan Syri.net Kosova

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kosova po hyn në një nga fazat më të ndjeshme të procesit politik të pasluftës: formimin e institucioneve të reja, krijimin e Qeverisë Kurti 3 dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes për një mandat pesëvjeçar.

Ky moment kritik shoqërohet me spekulime të shumta politike, emra të ndryshëm kandidatësh dhe prapaskena negociatash, ndërkohë që vendi përballet me nevojën urgjente për stabilitet institucional, konsensus politik dhe shmangie të një krize të re.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka konfirmuar synimin për të garuar për një mandat të dytë, teksa mandati i saj përfundon në prill të këtij viti. Por a i ka ajo votat e nevojshme dhe a ekziston një alternativë reale?

Për të analizuar këtë situatë komplekse, Syri.net Kosova ka zhvilluar një bisedë me profesorin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Dorajet Imeri, i cili shpjegon hapat kushtetues, afatet e shkurtra për formimin e qeverisë së re dhe sfidën e madhe të zgjedhjes së presidentit.

“Pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, presidentja Osmani duhet sa më parë të thërrasë partinë fituese për krijimin e institucioneve, më së largu brenda javës që po vjen, pasi ditët janë të numëruara për shkak të limiteve kohore që përcakton Kushtetuta.

Megjithatë, kemi një çështje problematike: vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, i cili bie në kundërshtim me një vendim të mëhershëm. Kjo situatë krijon paqartësi juridike dhe rrezik të ri për bllokim institucional, sidomos nëse veprohet si vitin e kaluar. Por besoj se Lëvizjes Vetëvendosje nuk i konvenon shkuarja sërish në zgjedhje”, thekson Imeri.

Imeri ndalet edhe te roli i presidentit, duke sqaruar se ndonëse në një sistem parlamentar posti është kryesisht ceremonial, pesha politike dhe simbolike mbetet jashtëzakonisht e madhe.

“Për t’u zgjedhur president, një kandidat duhet të sigurojë fillimisht 30 nënshkrime të deputetëve, ndërsa në dy rundet e para nevojiten 80 vota nga 120 sa ka Kuvendi. Nëse dështohet, në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota.

Aktualisht, Vetëvendosje ka 57 deputetë dhe me votat e komuniteteve mund të arrijë mbi 63. Por nëse opozita bojkoton seancën, vendi mund të përballet me probleme serioze politike dhe institucionale”, shpjegon profesori.

Sipas Imerit, mosrespektimi i afateve kushtetuese do ta fuste vendin në një krizë të thellë institucionale.

“Dështimi për ta zgjedhur presidentin do ta çonte Kosovën drejt zgjedhjeve të reja, duke rrezikuar paralizimin e plotë të sistemit. Në këtë situatë, vendi do të mbetej pa buxhet të miratuar, çka do ta bënte të pamundur edhe ndarjen e fondeve për procesin zgjedhor. Pasojat do të ishin zinxhirore: nga bllokimi i projekteve publike, te vonesat në paga dhe rëndimi i jetës ekonomike e sociale të qytetarëve”, paralajmëron ai.

Në anën tjetër, Imeri shpreh kritika të forta ndaj mandatit të parë të presidentes Vjosa Osmani, duke vlerësuar se ajo nuk ka arritur të jetë figurë unifikuese në skenën politike.

Sipas tij, pjesëmarrja e saj në Samitin e Bordit të Paqes për Gazën i ka ngarkuar Kosovës një obligim të rëndë ndërkombëtar, përmes zotimit për një kontribut financiar prej një miliard eurosh një shumë alarmante për një shtet me buxhet vjetor rreth katër miliardë euro.

Një vendim i tillë, sipas Imerit, mund të prodhojë pasoja të mëdha politike, ekonomike dhe diplomatike për Kosovën./Syri.net