Si paraqitet gjendja e Alfred Moisiut - Mjekët ndërhyjnë me pajisje për të ndihmuar zemrën
Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, vijon të jetë i shtruar në spitalin “Nënë Tereza”, në repartin e reanimacionit. Ai u hospitalizua ditën e djeshme pasi u paraqit me probleme në frymëmarrje.
Sipas informacioneve, gjendja shëndetësore e ish-kreut të shtetit paraqitet e qëndrueshme. Pas konsultës së zhvilluar sot nga ekipi i mjekëve të aritmologjisë, atij i është vendosur një pacemaker me dy dhoma.
Pacemaker është një pajisje mjekësore që ndihmon në rregullimin e ritmit të zemrës, në rastet kur rrahjet janë shumë të ngadalta ose të çrregullta, raporton Top Channel.
Moisiu, tani në moshë 97 vjeçare, vuante nga rrahje të ngadalta të zemrës, të njohura si bllok atrioventrikular, një problem që lidhet kryesisht me moshën.