Kampionia olimpike, Imane Khelif, zbulon trajtimet hormonale para Lojërave të Parisit

Boksierja algjeriane, Imane Khelif, ka zbuluar se para Lojërave Olimpike “Paris 2024” iu nënshtrua trajtimeve hormonale për të ulur nivelin e testosteronit. Në një intervistë për gazetën franceze L’Equipe, kampionia olimpike theksoi qartë se nuk është transgjinore dhe se ka garuar gjithmonë sipas rregullave.

Khelif, 26 vjeçe, fitoi medaljen e artë në kategorinë e femrave deri në 66 kilogramë, por gjatë Lojërave u përfshi në një debat të madh mbi gjininë, ashtu si edhe boksierja nga Tajvani, Lin Yu-ting, fituese e arit në peshën 57 kg.

“Unë kam hormone femërore, por për gara kam marrë trajtime hormonale për të ulur nivelin e testosteronit,” u shpreh Khelif. Ajo konfirmoi gjithashtu se ka gjenin SRY, i vendosur në kromozomin Y, por shtoi se kjo është diçka natyrale dhe e monitoruar nga mjekët.

“Jam e rrethuar nga mjekë dhe profesorë që më ndjekin vazhdimisht. Për turneun kualifikues olimpik në Dakar, i ula nivelet e testosteronit deri në zero,” deklaroi ajo.

Boksierja algjeriane reagoi edhe ndaj komenteve publike që u bënë për rastin e saj, përfshirë ato nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, dhe shkrimtarja J.K. Rowling. “I respektoj të gjithë, por e vërteta nuk mund të shtrembërohet. Nuk jam grua trans, jam vajzë. Jam rritur si vajzë dhe gjithmonë jam njohur si e tillë,” tha Khelif.

Duke parë nga e ardhmja, ajo synon të marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028” dhe është e gatshme t’i nënshtrohet çdo testi të detyrueshëm gjinor nga World Boxing. “Nuk kam asgjë për të fshehur. I kam dorëzuar të gjitha dokumentet mjekësore,” përfundoi ajo.