Endrick i jep të drejtë Ancelotti-t, huazimi në Francë po e afron me Botërorin

Endrick po përjeton një moment shumë pozitiv në Francë dhe po vërteton se këshilla e Carlo Ancelotti-t ishte e duhura. Trajneri italian i sugjeroi sulmuesit të largohej përkohësisht nga Real Madridi për të gjetur minuta dhe vazhdimësi, me synimin e madh: Botërorin 2026. Dhe faktet po flasin qartë.

Me fanellën e Olympique Lyon-it, Endrick ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë një asist në vetëm 430 minuta në Ligue 1. Çdo paraqitje e tij po ndiqet me vëmendje si në Spanjë, ashtu edhe në Brazil. Performancat e tij po rrisin shanset për t’u grumbulluar me kombëtaren braziliane, në një repart ku ka shumë emra, por pak siguri.

Në garë për një vend në Botëror janë lojtarë si Richarlison, João Pedro, Cunha, Gabriel Jesus apo Igor Jesus, por emri i Endrick po fiton gjithnjë e më shumë terren dhe është kthyer në të preferuarin e tifozëve.

Vendimi për t’u huazuar te Lyon-i ishte kyç. Endrick e zgjodhi këtë skuadër sepse i garantonte aktivizim që nga minuta e parë. Ai ka pranuar se para transferimit foli me Ancelotti-n, i cili e inkurajoi të largohej dhe të zhvillonte futbollin e tij pa presion.

Marrëdhënia mes Endrick-ut dhe Ancelotti-t mbetet shumë e fortë. Vetë sulmuesi ka theksuar se nga trajneri italian ka mësuar jo vetëm për futbollin, por edhe për jetën si profesionist.

Huazimi në Francë e ka rikthyer Endrick-un në qendër të vëmendjes. Sot ai është më pranë se kurrë Botërorit dhe po tregon se e ardhmja e tij mbetet shumë e ndritur.