SYRI TV/ Lezha i jep lamtumirën e fundit koreografit të njohur Gazmend Golemi
Qyteti i Lezhës i dha lamtumirën koreografit të shquar Gazmend Golemi, i ndarë nga jeta në moshën 62-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Homazhet, të mbajtura në Pallatin e Kulturës “Ded Ndue Lazri”, mblodhën familjarë, artistë dhe qytetarë për të nderuar ikonën e artit koreografik shqiptar.
Lezha i dha lamtumirën koreografit të njohur Gazmend Golemi, i cili u nda nga jeta në Itali, në moshën 62-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Homazhet në nderim të tij u zhvilluan në ambientet e Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri”, institucioni ku Gazmend Golemi krijoi dhe realizoi veprimtarinë e tij artistike për më shumë se 45 vite, duke ndërtuar një trashëgimi të pasur me vlera të jashtëzakonshme koreografike.
Miq, bashkëpunëtorë, artistë, përfaqësues të pushtetit vendor, politikanë dhe qindra qytetarë iu bashkuan homazheve për t’i dhënë nderimin e fundit mjeshtrit të valles shqiptare.
Gazmend Golemi ishte autor i dhjetëra valleve identifikuese dhe krijimeve koreografike që përfaqësuan Lezhën dhe Shqipërinë në festivale të shumta folklorike, brenda dhe jashtë vendit, duke u vlerësuar me çmime dhe mirënjohje.