Dubai shkon një hap më tej: Po ndërtojnë rrugën e parë në botë prej ari
Rruga e Artë do të bëhet pika qendrore e referimit të Lagjes së re të Artë, e projektuar nga Ithra Dubai për të tërhequr turistë, blerës dhe tregtarë të rinj ari.
Si pjesë e projektit të shpallur së fundmi në Dubai Gold District në zonën Deira, është planifikuar ndërtimi i rrugës së parë në botë të bërë nga ari i vërtetë.
Sasia e arit që do të përdoret për ndërtim mbetet sekret për momentin, dhe ende nuk dihet se si do të duket saktësisht. Pavarësisht kësaj, Gold Street duhet ta forcojë më tej reputacionin e Dubait si "qyteti i arit", të cilin e ka fituar falë transformimit të tij të pabesueshëm nga një qendër e vogël portuale për tregtinë e perlave në një nga qendrat më të mëdha të tregtisë së arit në botë, shkruan Punkufer .
Rruga do të vendoset pranë Tregut të Arit të Dubait në Deira, i cili dikur konsiderohej një nga tregjet më të mëdha të bizhuterive me pakicë dhe shumicë në botë, ku qindra tregtarë ofrojnë ar me cilësi të jashtëzakonshme me çmime konkurruese.
Në këtë distrikt, është planifikuar rregullimi i më shumë se një mijë lokaleve biznesi, në të cilat do të ofrohet gjithçka - nga ari dhe bizhuteri të tjera deri te kozmetika dhe parfumet. Ndër markat e njohura, do të jenë të pranishëm edhe prodhues bizhuterish si Joyalukas, Jawhar Jewellery, Malabar Gold and Diamonds, Al Romaizana dhe Tanishk Jewellery.
Zona do të përfshijë gjashtë hotele me një total prej një mijë dhomash, të cilat synojnë të përmbushin nevojat e akomodimit të vizitorëve ndërkombëtarë dhe partnerëve të biznesit.