Zelensky: Kemi 55 mijë ushtarë të vrarë në luftën me Rusinë

Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se numri i ushtarëve ukrainas të vrarë në fushëbetejë gjatë katër viteve të luftës me Rusinë është rreth 55 mijë.

Zelensky e shpalli këtë shifër në një intervistë për televizionin France 2 të mërkurën. Ai shtoi se një numër i madh personash konsiderohen zyrtarisht të zhdukur.

Ndërsa si Kievi ashtu edhe Moska kanë publikuar rregullisht vlerësime për humbjet e palës tjetër, ata kanë qenë hezitues për të dhënë detaje mbi humbjet e tyre.

Presidenti amerikan Donald Trump ka udhëhequr përpjekjet për t’i dhënë fund luftës që filloi me pushtimin e plotë të Rusisë ndaj fqinjit të saj më 22 shkurt 2022.

Të dërguarit specialë amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i Trump-it, po zhvillojnë bisedime me negociatorët rusë dhe ukrainas në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi, për ditën e dytë radhazi këtë të enjte, në përpjekje për të detajuar marrëveshjen e paqes të propozuar nga SHBA-të.

Ky është takimi i dytë trepalësh i këtij lloji dhe bisedimet sipas Witkoff kishin qenë “të detajuara dhe produktive”, por ai shtoi se “mbetet ende shumë punë”.

Çështja më e vështirë është territori, me Rusinë që kërkon që Ukraina të dorëzojë pjesën tjetër të rajonit lindor industrial të Donbasit që Moska nuk e kontrollon aktualisht.

Trump shpesh thotë se mijëra ukrainas dhe rusë vdesin kot çdo javë. Agjencitë perëndimore të inteligjencës publikojnë gjithashtu vlerësime, të cilat janë të pamundura për t’u verifikuar.

Herën e fundit që Zelensky dha një përditësim mbi viktimat e Ukrainës ishte në dhjetor 2024, kur ai i vendosi vdekjet në 43 mijë.

Në intervistën e tij me televizionin francez, ai tha: “Në Ukrainë, zyrtarisht numri i ushtarëve të vrarë në fushëbetejë, qoftë profesionistë apo të rekrutuar, është 55 mijë.”

Numri zyrtar i të vdekurve i cituar nga Zelensky është dukshëm më i ulët se humbjet totale të Ukrainës. Siç tha vetë ai, “një numër i madh personash” janë regjistruar si të zhdukur.

Që gjashtë muaj më parë, ministria e brendshme e Ukrainës kishte regjistruar mbi 70 mijë persona si zyrtarisht të zhdukur (si ushtarë ashtu edhe civilë) por ndarja e saktë nuk jepet kurrë.

Shifra e vërtetë mund të jetë më e lartë, ndërkohë që informacioni mbi numrin e të vdekurve është shumë i ndjeshëm dhe ndikon në moralin e popullatës.

Në gjithë Ukrainën, varret ushtarake janë të dukshme në çdo varrezë, të shënuara me flamuj kombëtarë blu dhe të verdhë. Ato shpesh kanë një imazh të ushtarit me uniformë të gdhendur në gurët e varrit.

Ka ende nëna që kërkojnë djemtë e tyre, të cilët nuk u kthyen kurrë nga beteja. Shpesh, ato mbahen pas shpresës se burrat janë robër lufte, të kapur dhe mbajtur diku në Rusi, por jo në ndonjë listë zyrtare.

Aksesi në burgjet ruse për organizata si Kryqi i Kuq është shumë i kufizuar.

Alternativa është që burrat e zhdukur të jenë vrarë dhe trupat e tyre të mos jenë rikuperuar nga territoret tashmë të kontrolluara nga Rusia, ose që mbetjet e tyre nuk janë identifikuar ende përmes testimit të ADN-së.

Herë pas here, të dy vendet organizojnë shkëmbime trupash (përveç shkëmbimit të robërve të luftës) por nuk ka pasur asgjë që nga gushti i kaluar.

Një marrëveshje tjetër për shkëmbimin e robërve u arrit në bisedimet e Abu Dhabit, njoftoi Witkoff. Ajo përfshinte shkëmbimin e 314 robërve, “shkëmbimi i parë i tillë në pesë muaj,” tha ai.

“Ndërsa mbetet ende shumë punë, hapa të tillë tregojnë se angazhimi diplomatik i vazhdueshëm po sjell rezultate konkrete dhe po avancon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë,” shtoi Witkoff, citon BBC.

Bisedimet nisën ndërsa Rusia rinisi sulmet ndaj Ukrainës pas një pauze njëjavore që Trump i kishte kërkuar Vladimir Putin-it ta respektonte, ndërsa një i ftohtë i ashpër përfshiu Ukrainën.

Sulmet kanë pasur në shënjestër sektorin energjetik të vendit, duke lënë mijëra pa energji elektrike dhe ngrohje, ndërsa temperaturat ranë në -20°C (-4°F).