Skandali i manipulimit të ndeshjeve, nëntë klube e nisin sezonin me pikë minus

Futbolli kinez po përballet me një nga goditjet më të rënda në historinë e tij, pasi nëntë klube të Superligës Kineze (CSL) do ta fillojnë sezonin e ri me pikë negative, pas sanksioneve të ashpra të vendosura nga Shoqata Kineze e Futbollit (CFA) për manipulime ndeshjesh, bixhoz dhe korrupsion.

Dënimet më të rënda u shqiptuan ndaj Shanghai Shenhua dhe Tianjin Jinmen Tiger, të cilat do ta nisin sezonin me minus 10 pikë secila.

Në total, CFA ka ndëshkuar 13 klube profesionale, me gjoba financiare që variojnë nga 200 mijë deri në 1 milion juanë (rreth 26 mijë – 132 mijë euro).

Pas rënies nga kategoria në sezonin 2025, nëntë nga këto skuadra do të garojnë në CSL 2026 me një bilanc negativ që në start.

Lista e klubeve të sanksionuara përfshin edhe emra të mëdhenj si Shanghai Port, Beijing Guoan, Shandong Taishan, Zhejiang FC, Henan FC, Qingdao Hainiu dhe Wuhan Three Towns.

Kampionët në fuqi, Shanghai Port, u ndëshkuan me zbritje prej pesë pikësh dhe një gjobë prej 400 mijë juanësh, masë e njëjtë që u aplikua edhe për Beijing Guoan.

Sipas CFA-së, dënimet janë përcaktuar mbi bazën e “shumës, rrethanave, natyrës dhe ndikimit social” të shkeljeve.

Sanksionet pasojnë një hetim të gjerë për bixhoz dhe trukim ndeshjesh, me qëllim pastrimin e futbollit kinez dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.

Paralelisht, 73 persona, përfshirë ish-trajnerin e kombëtares Li Tie, janë përjashtuar përjetësisht nga futbolli.

Ndërkohë, ish-kreu i CFA-së, Chen Xuyuan, po vuan burgim të përjetshëm, duke dëshmuar përmasat e thella të korrupsionit në futbollin kinez.