Shuhet Ahmet Omi, Boçi: Shkodra humbi një personalitet të rëndësishëm, urtësi, përvojë dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka reaguar përmes një statusi në Facebook për ndarjen nga jeta të Ahmet Omit, duke e cilësuar atë si një nga personalitetet më të rëndësishme të jetës politike dhe shoqërore në Shkodër.

Në mesazhin e tij, Boçi shprehet se Shkodra humbi një figurë me vlera të spikatura njerëzore dhe qytetare, ndërsa thekson se këshillat e tij, të mbështetura në urtësi, edukim dhe përvojë të gjatë, ishin të çmuara për këdo që pati fatin ta njohë.

Sipas Boçi, Ahmet Omi, përfaqësues i familjes së njohur Omi në Shkodër, e nisi angazhimin politik me Partinë Demokratike që në fillimet e saj. Për shumë vite ai mbajti detyrën e sekretarit të Degës së PD-së në Shkodër, duke drejtuar procese të rëndësishme në periudha të ndryshme politike.

Ai ka shërbyer gjithashtu si nënkryetar i Bashkisë Shkodër dhe ka drejtuar disa institucione, duke u vlerësuar si një shërbyes publik i përkushtuar ndaj komunitetit dhe interesit qytetar.

Në fund të reagimit të tij, Boçi u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes Mirjana, djemve Alban dhe Arion, si dhe të gjithë familjarëve për humbjen e tyre.

“Pushofsh në paqe”, përfundon mesazhi i deputetit demokrat.

Postimi i plotë:

Shkodra humbi një nga personalitetet më të rëndësishme të jetës politike dhe shoqërore.
Ahmet Omi u nda nga jeta në një kohë kur këshillat e tij, të veshura me urtësi, edukim qytetar, përkushtim familjar dhe përvojë të gjatë, ishin një nga vlerat më të çmuara që kushdo që e njihte mund të merrte prej tij.

Përfaqësues i familjes së njohur të Omëve të Shkodrës, Ahmet Omi nisi angazhimin e tij politik me Partinë Demokratike që në fillimet e saj. Për shumë vite, si sekretar i Degës së PD Shkodër, ai drejtoi me profesionalizëm dhe përkushtim procese të rëndësishme, të cilat koha dhe realiteti politik i kërkonin.

Si nënkryetar i Bashkisë Shkodër dhe si zyrtar që ka drejtuar e shërbyer në disa institucione, ai ishte modeli i shërbyesit publik, gjithmonë në shërbim të komunitetit dhe interesit qytetar.

Dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes Mirjana, djemve Alban dhe Arion, si dhe gjithë të afërmve dhe familjarëve për këtë humbje të rëndë.
Pushofsh në paqe.