'Për një pronë dy 'pronarë'/ Banori: Rrjolli u hoq nga zona e mbrojtur vetëm aty ku do ndërtohet resorti

Një konflikt pronësie në fshatin Baks-Rrjoll të Velipojës ka bërë që banorët e zonës të dalin në protestë sot para SPAK, duke akuzuar për tjetërsim të tokës së tyre me dokumente të falsifikuara.

Në një prononcim për mediat, një prej banorëve, i cili u prezantua si trashëgimtar i ligjshëm i tokës, shprehu pretendimet e tij duke mbajtur në duar dokumente që, sipas tij, datojnë që nga viti 1935, me vula të Mbretërisë Shqiptare. Ai deklaroi se për të njëjtën pronë, një tjetër person, i identifikuar si Fatmir Shpreza, disponon dokumente të vitit 2019.

"Për të njëjtën pronë jemi dy persona. Unë e kam që në vitin 1935, ndërsa pala tjetër vjen me dokumente të 2019-ës. Cili është realiteti?" pyeti ai, duke theksuar se familja e tij dhe banorët e tjerë jetojnë në atë fshat prej më shumë se 200 vitesh.

Sipas banorit, situata bëhet edhe më e rëndë për faktin se fshati Baks-Rrjoll është shpallur zonë e mbrojtur që nga viti 2016. Megjithatë, ai akuzon se një pjesë e kësaj zone, pikërisht sipërfaqja prej 1500 dynymësh tokë në konflikt, është hequr nga statusi i mbrojtjes për të lejuar ndërtimin e resorteve turistike.

Ndërkohë, banorëve të vjetër të zonës nuk u lejohet legalizimi i shtëpive të tyre me arsyetimin se ndodhen në zonë të mbrojtur. I përlotur dhe i revoltuar, banori iu drejtua drejtpërdrejt politikanëve dhe aktivistëve, duke përmendur me emër Sazan Gurin, të cilit i kërkoi llogari për premtimet e bëra për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Ai bëri të ditur se konflikti është në proces gjyqësor dhe seanca e radhës do të mbahet në Gjykatën e Apelit më datë 16 të muajit, në orën 10:00. Banori ftoi gazetarët dhe opinionin publik të ndjekin procesin për të parë, siç u shpreh ai, të vërtetën e këtij konflikti të gjatë pronësie që ka prekur jetët e shumë familjeve në Rrjoll.

Banori: 

Unë jam banor i fshatit Baks-Rrjoll, njësia administrative Velipojë. Për sa i përket nga ana juridike, folën avokatët, të cilët e qartësuan krejtësisht se si është situata dhe përse jemi drejtuar këtu. Unë sot konkretisht kam prurë të gjithë këta, këta janë banorët e fshatit Rrjoll. I kam sjellë këtu për disa arsye të veçanta për sa i përket që ne na  djegin. E para është sepse unë kam ardhur këtu që të vërtetoj vërtetësinë e pronësisë, para kamerave, para gjithë shqiptarëve. Që t'i them çfarë dokumenti kam unë, dhe çfarë dokumenti ka ai.

T'i përkasim njëri me tjetrin, dhe unë nëse i kam këto të falsifikuara, unë i betohem para shqiptarëve, i përgjigjem në mënyrë penale, edhe morale shqiptarëve që dal këtu e gënjej, nëse këto dalin fallco. Për të njëjtën pronë jemi dy persona. Kemi dy vërtetime pronësie. Edhe unë, edhe ai. Unë e kam që në vitin 1935-ën, me 7 shtator të vitit 1935 që do t'jua tregoj, e kam këtu.

Dhe Fatmir Shpreza vjen në 2019-ën. Cili është reali? Ne jemi fshatarë që i kemi shtëpitë dhe kemi 200 vjet që jemi aty. Dhe vjen një nga hiçi, që ne nuk po fyej se nuk jam racist, ne jemi i vetmi fshat që aty jemi katolikë. Vjen një mysliman aty dhe thotë, unë thotë, kam këtu se më ka dhënë vdek i pari para 500 vjetëve. Dhe bën 1 milion e 500 mijë metra katrorë me letra.

Aq më tepër more gazetarë, ta dini diçka, Rjolli që në 2016 fshati Baks-Rrjoll, është zonë e mbrojtur. Është zonë e mbrojtur. Theksojeni mirë, kjo është zonë e mbrojtur. Janë ata ambientalistat, turp të kenë, që e lanë Rrjollin ta heqin vetëm zonën prej 1500 dylymëve tokë, që zotëria i bëri me letra për ndërtim, e hoqën nga zona e mbrojtur. Kurse të gjithë këta fshatarët, që kanë shtëpiat dhe jetojnë aty, u thotë sot, nuk ta legalizoj shtëpinë sepse e ke zonë të mbrojtur. Dhe të gjithë ata njerëzit atje që jetojnë prej 200-300 vjetëve, nuk kanë letra të shtëpive. Për arsye sepse nuk do ai.

Aty, ku kishin interesin për të ndërtuar resortin luksoz, e hoqën nga zona e mbrojtur. Dhe po ta shikoni, ambientalistat asnjë nuk foli. Asnjë nuk foli. Po pse mor kaq të lidhur qenkan këta? Kaq kriminela qenkan këta? Kaq zbor kanë bërë këta?

Më kanë premtuar sot deputetët që vijnë këtu. Më kanë premtuar të gjitha forcat politike këtu që vijnë. Ku janë? Më ka premtuar Sazan Guri, po ja përmes emrin, që do të ke këtu. Ku je Sazan? Më ke thënë që jam vetëm për këtë çështje. Ku je Sazan? Hajde Sazan! Hajdeni mor shqiptarë se mbaruam!

Tani, unë do të paraqes prova që i kam prurë ekstra, sepse këto janë origjinale. Nuk i kam prurë  letra që të vij këtu dhe të turpërohem para shqiptarëve. Kam prurë letra që të vërtetoj pronësinë. Dhe t'i them gjyshit, o jam krenar me ty, ose ta mallkoj aty në varr që më ka lënë këto letra. Më ka lënë letrën që në 35-ën. Dhe e kam këtu. Dhe, gjyqtari i cili mori dënimin e merituar madje, më tha mua që letrat tuaja janë fallco. Jo fallco, por nuk ta jap pronën se nuk të gjej kufitarin lindor. Kurse zotëria, pa kufitar fare, pa letra fare, i mori 1500 dylym tokë.

I shiti, për një vit i shiti, për një vit bëri gjyqin, për një vit mori paret, për një vit filloi me ndërtimin, të gjitha i bëri këta. Kush është ky? Çfarë janë këta? Unë kam ardhur këtu dhe tani do t'jua jap, t'jua rendis një dhe nga një.

Këtu kush qe shqiptar që e ka njoftë ligjin e Mbretit Zog, ky është. Urdhëroni, filmoni, më çoni në prokurori, ku të doni, nëse dalin fallco këto, unë do të largohem familjarisht nga Shqipëria. Sepse do ta mallkoj gjyshin që i ke mbajtur letrat tash 100 vjet. Është 91 vjeçare kjo letër që e kam prej gjyshit te shtëpia. Se e ka ditur se do vijnë kohë. Nuk kemi qenë kaq të marrë. Këta kujtojnë se ne jemi të trashë. Këta kujtojnë se jemi botë e tretë. Nuk jemi botë e tretë. Jemi njerëz si ju. Edhe duhet të jetojmë si ju. Duhet të jetojmë në Shqipëri mor zotëri. Nuk më pëlqen jashtë. Mua më duan në tokën time. Këta s'lanë mor zotëri. O do të vijë dita të na marrin varret pastaj, se është i bukur aty. S'do na lënë as varre këta mor. Kaq, kaq babëzitur janë këta. Kjo është një nga.

Me vulat e Mbretit Zog. Urdhëroni, filmoni, kush do edhe nga afër. Edhe tekstin nëse doni ta lexoni, urdhëroni.

Jo unë tani desha me të thënë këto dokumentat. Urdhëroni një dokument është 31 vjeçar, i cili është marrë, quhet vërtetim, vërtetim hipotekor. Që ta dinë disa se thonë, jo, vërtetimi hipotekor nuk ekziston. Në ardhjen e sistemit demokratik, vërtetimi i pronësisë është si certifikata sot. Dhe këta njerëz të pafytyrë e ndryshuan vërtetimin e pronësisë në certifikatë pronësie. Si e si, që t'jua bëjnë njerëzve sa më të vështirë që të bëjnë letrat. Se nuk ishte nevoja nga vërtetim pronësie që e kam këtu dhe të shkonte të më dhënte pronën.

Por më thotë, jo zotëri, kjo vërtetimi i pronësisë nuk bën. Duhet certifikatë pronësie. Po ç'dallim ka vërtetimi i pronësisë që është nxjerrë nga hipoteka Shkodër me hipotekuesin Arben Selim Kofliku? Ç'ndryshim ka ky vërtetim pronësie që është marrë nga zyrat e shtetit, nga ai që jep sot Sali Berisha apo Edi Rama? Pse kështu? Pra, të gjitha këto, janë prova që unë kam prurë me i vërtetuar. Besoj se me provat është e mjaftueshme. Atëherë tek pyetja që bëne.

Ne jemi në proces gjyqësor. Unë kam qenë në proces gjyqësor. Dhe gjyqtari, që nuk jeton më, që s'dua me ja përmend emrin, për arsye sepse kujton se e nderoj, po e përmend emrin, e s'dua ta nderoj, dhe s'dua t'i jem mirënjohës për të, kurrë e kurrës, e them me bindje, e them me shpirt,  se sa herë shkoja në gjyq, më thoshte nëna, e mor bir, kur kthehesha në shtëpi, si e kalove?

Çfarë të thanë? Më thanë, i thosha nënës me i zbut, vjen një prapë. Heu ardht zoti i hakut. Vetëm mallkimi i nënës time, past dritë, i kanë shkuar aty ku është. Dhe shumë nëna ime...

Sa nënat e gjithë shqiptarëve e kanë këtë vuajtje.  Po unë, kjo është zemra ime, se më ka bërë me vuajtur me familje.

Dhe sot ky zotëria na ka çuar këtu ku jemi. Si mund ta bësh hero një person që ne na ka bërë tërë njerëzit të palumtur? Neve na ka bërë jetën e vështirë, na ka bërë me ik prej këtu. Përsa i përket, me datën 16, ju që jeni gazetarë, kush ka dëshirë, me datën 16, në Gjykatën e Apelit, në orën 10:00, shkurt, jemi në seancë gjyqësore po për këtë pronë. Janë caktuar ekspertë, janë caktuar gjyqtarë, janë të gjitha, ndoshta edhe emrat e gjyqtarëve, po s'është nevoja.