Tension pas eliminimit nga Kupa, Xherdan Shaqiri përplaset me tifozin e Baselit
Eliminimi dramatik i FC Basel në çerekfinalen e Kupës ndaj St. Gallen ka lënë pasoja të forta te kampionët në fuqi.
Goli i Carlo Boukhalfas në minutën e 93-të i dha fund aventurës së Baselit në Kupë, duke konfirmuar një sezon të vështirë dhe larg nivelit të shkëlqyer të vitit të kaluar.
Pas vërshëllimës përfundimtare, atmosfera ishte e rënduar. Teksa lojtarët po falënderonin tifozët që kishin udhëtuar për t’i mbështetur, një prej tyre i shprehu hapur pakënaqësinë kapitenit Xherdan Shaqiri, duke krijuar tension në fushë.
Shaqiri u përfshi fillimisht në një diskutim, por situata u qetësua shpejt dhe kapiteni u pa duke e kaluar incidentin me buzëqeshje.
“Kjo është pjesë e futbollit. As nuk më kujtohet çfarë tha ai”, u shpreh Shaqiri pas ndeshjes.
Ai theksoi se reagimi i tifozëve vjen nga zhgënjimi: “Askush nuk është i lumtur kur humbasim, kjo është e kuptueshme. Por nuk ndihmon të krijosh tension. Duhet të qëndrojmë të bashkuar”.
Pavarësisht eliminimit të dhimbshëm, Shaqiri tregoi sportivitet duke pranuar epërsinë e kundërshtarit.
“Edhe ky është futbolli. St. Gallen e meritoi fitoren, ata ishin më të mirë”, deklaroi ai.
Pas daljes nga Liga e Evropës dhe tani edhe nga Kupa, FC Basel po kalon një nga momentet më të vështira të sezonit.
“Tani duhet të punojmë shumë për t’u rikthyer në rrugën e fitores”, përfundoi kapiteni i Baselit.